Grupi Konsultativ i Projektit është mbledhur për të diskutuar hartimin e Planit të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar të Çarshisë së Madhe në Gjakovë, ku janë prezantuar rezultatet e para të Studimit Preliminar të Strukturës Urbane.
Studimi, i realizuar nga QRTK Gjakovë me mbështetjen e UN-Habitat në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), analizon katër elemente kryesore: trashëgiminë kulturore, strukturën urbane, shfrytëzimin e tokës dhe rrjetin rrugor.
Bazuar në këto analiza, është prezantuar edhe propozimi fillestar për përcaktimin e kufijve të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Çarshisë së Madhe, i hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe metodologjinë e UNESCO-s për Peizazhin Urban Historik.
Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt hartimit të një plani të integruar, i cili synon të mbrojë vlerat unike të Çarshisë së Madhe, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin e saj të qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm.
Gjatë takimit u vlerësua angazhimi i anëtarëve të Grupit Konsultativ, të cilët kontribuuan me diskutime dhe propozime në avancimin e këtij procesi./A.K/
