Gazsjellësi Nord Stream 2 po fillon të mbushet me gaz në përgatitje për pompimin e furnizimeve drejt Bashkimit Europian.
Lajmin e jep vetë operatori, në mes të kritikave të disa vendeve perëndimore, të cilat e konsiderojnë si armë gjeopolitike.
Ky hap hidhet në një kohë kur Evropa përballet me një krizë energjetike, ndërsa rezervat e gazit natyror janë në nivel të ulët dhe çmimet e energjisë rriten.
“Procedura e furnizimit me gaz për vargun e parë të tubacionit Nord Stream 2 ka filluar”, tha Nord Stream 2 AG në një deklaratë.
“Ky varg do të mbushet gradualisht për të ndërtuar inventarin dhe presionin e kërkuar si parakusht për testet teknike të mëvonshme”, tha kompania me bazë në Zvicër, e cila është në pronësi të një filiali të gjigantit rus të gazit Gazprom.
Nord Stream 2 ka ndarë prej vitesh kryeqytetet evropiane dhe ka rritur tensionet midis Europës dhe Uashingtonit. Tubacioni devijon furnizimet nga një rrugë ekzistuese përmes Ukrainës dhe privon vendin aleat të Evropës nga një miliard euro (1.2 miliardë dollarë) në vit në tarifat e tranzitit nga Rusia.
Ukraina, në konflikt me Rusinë që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në vitin 2014, ka paralajmëruar Evropën se Nord Stream 2 mund të përdoret nga Moska si mjet presioni gjeopolitik. Kur Gazprom njoftoi muajin e kaluar se ndërtimi kishte përfunduar, Kiev u zotua të vazhdonte lobimin kundër projektit. Nord Stream 2 nis nga bregu baltik i Rusisë në Gjermaninë verilindore.
Tubacioni nënujor, 1.200 kilometra (745 milje) ndjek të njëjtën rrugë si Nord Stream 1, i cili përfundoi mbi një dekadë më parë. Nord Stream 2 do të transportojë 55 miliardë metra kub gaz në vit në Evropë.