Me moton “Kontrollohu, për veten, për jetën!”, Ministria e Shëndetësisë dhe Presidenca e Kosovës kanë hapur zyrtarisht fushatën ndërgjegjësuese për kancerin e gjirit, duke i bërë thirrje të gjitha grave që të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore.
Në ngjarjen hapëse, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se mbështetja familjare dhe shoqërore është e domosdoshme që gratë të gjejnë kohë për shëndetin e tyre.
Nga ana tjetër, Kryeministri Albin Kurti bëri me dije se mamografia ofrohet falas në shëndetësinë publike dhe se gjatë këtij viti do të shtohen tetë mamografë të rinj në komunat ku mungojnë. Ai veçoi se gjatë vitit 2025, mbi 53% e rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme, ndërsa rikonstruksioni i gjirit në QKUK vazhdon të kryhet falas.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, njoftoi se buxheti për barna onkologjike është rritur nga 8 në 22 milionë euro. Gjatë tërë muajit tetor, mamografi mobil do të jetë në shërbim të qytetareve në të gjithë territorin e Kosovës, nga Dragashi deri në Leposaviq. /E.A/
