Fakulteti i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë, si dhe Fakulteti i Agrikulturës dhe Mjedisit në UBT, kanë hapur sot punimet e Akademisë Verore, e cila këtë vit po zhvillohet në kuadër të edicionit të 15-të të “Global UBT Fest 2026”.
Me temën qendrore “Transformimi i Sistemeve Agro-Ushqimore përmes Shkencës dhe Inovacionit”, ky aktivitet ka mbledhur në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan profesorë, ekspertë, studentë dhe hulumtues të fushës.
Hapjen zyrtare të kësaj akademie e bëri dekani i fakultetit, Prof. Fidan Feka, i cili në fjalën e tij hyrëse theksoi rëndësinë e ndërthurjes së shkencës dhe teknologjisë moderne për një zhvillim të qëndrueshëm agro-ushqimor dhe mbrojtjen e mjedisit.
Gjatë ditës së sotme, vëmendje e veçantë iu kushtua teknologjisë në përpunimin e pemëve dhe perimeve në Kosovë, temë kjo e shtjelluar nga Hartim Gashi, për të vazhduar me prezantimin e Zana Likës mbi certifikimin dhe të dhënat e bujqësisë organike.
Ndikimi kritik i kalimit nga shpyllëzimi në ripyllëzim mbi tokën, ujin dhe klimën u trajtua nga Betim Bresilla, ndërsa Arta Ismajli solli një perspektivë interesante laboratorike dhe klinike mbi sfingolipidet si rregullatorë të fshehur në shëndet.
Aktivitetet e sotme u përmbyllën me fokus te ushqyerja sportive dhe burimet e reja të proteinave nga Dea Luma, si dhe me ligjëratën e Medin Zeqirit mbi efektet e ngrohjes globale tek prodhuesit e qumështit.
Ky është vetëm fillimi i një agjende të ngjeshur akademike. Punimet e Akademisë Verore do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, ku pritet të shpalosen hulumtime të tjera me rëndësi, prezantime nga ekspertë të fushës dhe debate tematike që prekin sigurinë ushqimore, zhvillimin rural dhe inovacionet e fundit në bujqësi.

