Edicioni i 14-të i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë (KAF) do të nisë të hënën, më 6 korrik, duke sjellë një program të pasur me ligjërata, punëtori dhe diskutime mbi sfidat e arkitekturës dhe urbanizmit në kohë krizash globale.
Tema e sivjetme e festivalit është “The City After – Design in an Age of Crises” (“Qyteti Pas – Dizajni në Kohë të Krizës”), e cila synon të nxisë debat mbi rolin e arkitekturës dhe dizajnit në periudha të pasigurisë, konflikteve dhe transformimeve të mëdha shoqërore.
Në kuadër të programit do të organizohen 13 ligjërata publike, tri punëtori me fokus në territoret palestineze, si dhe tri turne arkitektonike.
Për herë të parë, festivali ka hapur edhe një program bursash për arkitektë të rinj nga Palestina, të cilët do t’i bashkohen aktiviteteve duke udhëhequr punëtori dhe duke mbajtur ligjërata publike.
Sipas organizatorëve, tema e këtij viti trajton ndikimin e luftërave, krizave klimatike, paqëndrueshmërisë ekonomike, migrimit të detyruar dhe trazirave politike në zhvillimin e qyteteve, duke sfiduar profesionistët dhe qytetarët të reflektojnë mbi mënyrat e rindërtimit pas krizave.
“Në vend të kësaj, rindërtimi duhet të përballet me pyetje më të thella në lidhje me drejtësinë, qëndrueshmërinë, kujtesën dhe të ardhmen e jetës kolektive”, thuhet në deklaratën programore të festivalit.
Përmes ligjëratave, punëtorive, ekspozitave dhe diskutimeve publike, KAF 2026 synon të krijojë një platformë ndërkombëtare dialogu mbi mënyrën se si arkitektura dhe dizajni mund t’u përgjigjen sfidave të kohës, duke kontribuar në ndërtimin e qyteteve më të drejta, më të qëndrueshme dhe më shpresëdhënëse./A.K/
