UBT News

Nis afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti u dërgon ftesa për takim liderëve opozitarë

Një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bëri certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, këtë të enjte ka filluar të rrjedhë zyrtarisht afati kushtetues për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Sipas rregullave të përcaktuara me Kushtetutë, legjislatura e re e dalë nga votat e qytetarëve duhet të konstituohet brenda një afati prej 30 ditësh, që nënkupton se afati i fundit është data 9 gusht.

Me nisjen zyrtare të këtij procesi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka lëvizur menjëherë duke u dërguar ftesa zyrtare për takim krerëve të tri partive kryesore opozitare në vend: Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Lajmi rreth këtyre ftesave është konfirmuar ekskluzivisht për RTV Dukagjini nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, ka thënë Manxhuka për Dukagjinin.

Ky hap shënon fillimin e konsultimeve politike, pasi menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, pritet të nisin procedurat e rregullta kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, e pasuar më tej edhe nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës. /Dukagjini/ /E.A/

Exit mobile version