Për një kohë të gjatë gjiganti gjerman, Bayern Munich është në bisedime me mbrojtësin Niklas Sule për t’ia rinovuar kontratën këtij të fundit. Por kampioni gjerman ka hasur në një bllokadë në këto bisedime, dhe tanimë është bërë zyrtare që Sule nuk do të vazhdojë të ardhmen e tij me Bayernin.
Lajmin e ka bërë të ditur Oliver Kahn, i cili tregoi që Sule ka vendosur që mos ta pranojë marrëveshjen e re të ofruar nga Bayerni.
“Kemi qenë në bisedime për një kohë të gjatë. Ne i bëmë atij një ofertë, por Sule nuk e pranoi atë. Ne jemi të vetëdijshëm që Niklas dëshiron të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni”, tha Oliver Kahn.
Kontrata aktuale e Niklas Sule me Bayern Munichun skadon në fund të këtij sezoni, dhe mbrojtësi gjerman do të largohet nga “Bavarezët” si lojtar i lirë.
Që prej transferimit nga Hoffenheim te Bayern Munichu, Niklas Sule ka arritur të bëjë 158 paraqitje për gjigandin gjerman, duke regjistruar gjashtë gola dhe katër asistime mbi emrin e tij.