UBT News

Ngritja e liqenit artificial, shpresa e anamoravasve për sigurimin e ujit të pijes

Komuna e Gjilanit, por edhe lokalitetet jashtë perimetrit të saj, pothuajse kurrë nuk kanë ujë të mjaftueshëm të pijes. Gjendja ndryshon, në varësi të reshjeve atmosferike. Kur ka reshje më shumë, reduktimet kohore janë më të shkurtra, e kur reshjet mungojnë, ndalja e ujit bëhet për orë të tëra. Për të bërë zgjidhje më afatgjatë, shpresa për këta qytetarë mbetet në krijimin e një liqeni të ri artificial, plani për të cilin është bërë dhe synohet që penda të ngritet në fshatin Shusht të Vitisë.

Blenda Agaj

Gjilan, 7 qershor – Ka më shumë ujë kur ka reshje atmosferike, e kur moti është i thatë, më të thata janë edhe krojet shtëpiake të qytetarëve të komunës së Gjilanit. Tash për tash, Gjilani i ka kapacitetet të limituara furnizuese me ujë. Burimi kryesor është uji që merret nga Liqeni i Përlepnicës. Ky është një liqen i ndërtuar vite më parë, porse si liqen artificial që është, ai varet direkt nga të reshurat atmosferike. Si pasojë e mungesës së tyre, kompania “Hirdomorova” e cila menaxhon me rrjetin e ujësjellësit në këtë komunë, detyrohet të aplikojë masa restriktive. Ashpërsia e tyre, është e ndryshme, porse ndodh që ujë të mos ketë për kohë të gjatë.  

Këtë e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv i “Hidromoravës” në Gjilan, Muhamed Suliqi, duke potencuar varësinë që kanë nga reshjet. Megjithatë, kur flet për këtë vit, ai është optimist se gjendja do të jetë shumë më e mirë.

“Në këtë vit penda e Liqenit të Perlepnicës ka mbërri kuotë të lartë të mbushjes me ujë dhe zonat ubrane e rurale do kenë ujë”, thotë Suliqi.

Nevojën për ngritje të reja të kapaciteteve furnizuese me ujë të pijshëm, e kanë ngritur edhe komunarët gjilanas. Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça thotë të kenë përgatitur një projekt për ndërtimin e një pende në fshatin Shusht në Komunën e Vitisë dhe ta kenë përcjellë atë në qeverinë e Kosovës për të kërkuar përkrahje.

“Projekti si propozim është në Ministrinë e Ekonomisë dhe e kemi ne Komuna e Gjilanit, por ende nuk kemi rezultate konkrete rreth tij”, thotë Korça.

Ai tregon se për këtë projekt, të kenë marrë mbështetje financiare nga Banka Botërore.

“Kemi përfituar si donacion 11 milionë euro”, ka thënë Korça.

Ndërkaq nga perspektiva e drejtorit teknik në “KRU Hidromorava”, Mumin Morina, ndërtimi i pendes në rajonin e Vitisë, do të furnizonte edhe Vitinë dhe ndihmonte edhe Gjilanin.

“Dhe gjithashtu, do ta rregullonte edhe problemin me vërshime, të cilat cyten shumë nga lumi Morava”, thotë ai.

Derisa situata të jetë më ndryshe, kryeshefi ekzekutiv, Muhamed Suliqi nuk është në gjendje të ofrojë sigurinë e plotë se furnizimi me ujë do të jetë i pandërprerë. 

“Mungesë të ujit mund të kemi vetëm nëse ndodh ndonjë defekt në stacionet e pompimit apo dëmtimit të ndonjë gypi transportues, përndryshe këtë vit do të kemi furnizim të rregullt me ujë”, thotë ai.

Pos reduktimit të ujit që vjen si pasojë e mungesë së reshjeve atmosferike, një problem shtesë që i kontribuon keqësimit të situatës, është edhe rrjeti i vjetëruar i gypave të shpërndarjes së ujit.

“Duhet bërë ndërrimi i gypave kryesorë dhe rezervuareve shtesë në Kodrën e Dëshmorëve, të cilët ka 50 vjet e që janë vendosur dhe janë amortizuar, e po ashtu nuk kanë dimensionet e duhura për të përçuar sasinë e ujit të nevojshëm, andaj kjo do ishte zgjidhje që Gjilani të mos ketë mungesë të ujit”, thotë Morina, duke shtuar se në të kundërtën, nuk do të arrihet të ketë eliminim të tërësishëm të reduktimeve.

Qytetarët kanë këndvështrime të ndryshme. Njëri nga ta, Trim Selimi thotë se vetë qytetarët e komunës, duhet të kujdesen shumë më tepër për kursimin e ujit.

“Duhet të edukohemi për të mos shpenzuar kot ujin”, thotë ai.

Faik Syla një qytetar tjetër, mendon se numri i madh i banorëve në qytetin e Gjilanit, pamundëson furnizim të rregullt me ujë, andaj edhe duhet shtuar kapacitetet gjeneruese për të përballuar kërkesën.

Përndryshe, situatë pak më e mirë e furnizimit me ujë të pijshëm është në zonat rurale të Komunës së Gjilanit. Kjo jo për shkak se ujësjellësi i furnizon mjaftueshëm, porse nëpër këto zona qytetarët kanë bërë zgjidhje personale duke hapur puse./UBTNews

Exit mobile version