UBT News

Ngritët aktakuzë ndaj tetë të pandehurve për keqpërdorime me certifikata të armëve

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj tetë personave të përfshirë në vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare.

Sipas njoftimit, personat e akuzuar dyshohen për pranim ryshfeti në sektorin privat, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve që lidhen me aftësimin për përdorimin e armëve të zjarrit.

Hetimet e zhvilluara kanë zbuluar se i pandehuri F.G., në cilësinë e menaxherit në poligonin “R….”, dyshohet se ka pranuar shumën prej 600 eurove nga një kandidat për t’i siguruar certifikatën e aftësimit pa u nënshtruar trajnimit dhe provimeve të parapara me ligj. Në këtë veprimtari, ai pretendohet se është ndihmuar në vazhdimësi nga i pandehuri M.G., i cili ka mundësuar pajisjen e kandidatëve me dokumentacion në kundërshtim me procedurat ligjore.

Ndërkaq, në poligonin “D….” në Prizren, instruktorët S.B., R.M., dhe H.N. akuzohen se kanë shënuar të dhëna të rreme në dokumente zyrtare, duke nënshkruar certifikata për persona që nuk kanë ndjekur trajnimet teorike dhe praktike. Po ashtu, administratorja e këtij poligoni, B.G., dyshohet se ka plotësuar kërkesat për provim me të dhëna të kandidatëve dhe ka nënshkruar në emër të tyre pa prezencën e tyre fizike.

“Të pandehurit F.G. dhe M.G., ekziston dyshim i bazuar mirë për veprën penale ‘’Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat’’ nga neni 309 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërkaq, të pandehurit S.B., R.M., dhe H.N., për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit” nga neni 390 i KPRK-së, sipas njoftimit të Prokurorisë.

Përveç këtyre, aktakuza përfshin edhe të pandehurit B.H., S.B., dhe B.G. për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe rasteve të posaçme të falsifikimit të dokumentit.

“Ndërsa të pandehurit B.H., S.B., dhe B.G., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumentit” nga neni 391 KPRK-së”, sipas njoftimit.

Prokuroria bën të ditur se këto veprime bien ndesh me nenin 12 të Ligjit për Armë dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke u bazuar në provat e mbledhura gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Exit mobile version