UBT News

Ngritet aktakuzë ndaj nëntë personave për kultivimin e kanabisit në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve E.M., E.E., E.I., K.Q., Sh.Xh., M.Q., I.B., L.H. dhe E.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe vepra të tjera penale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë vepruar si anëtarë të një grupi të organizuar gjatë vitit 2024 në fshatrat Kliqinë dhe Sferkë të Komunës së Pejës, ku kishin mbjellë dhe përgatitur lëndë narkotike me qëllim të shitjes.

“Nga veprimet hetimore rezulton se të pandehurit dyshohet se kanë ndërmarrë veprime për mbjelljen, kultivimin, tërheqjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për sigurimin e vendeve dhe mjeteve të nevojshme për transportin e tyre.”

Gjatë kontrollit të zbatuar më 27 shtator 2024, Policia e Kosovës ka gjetur në dy parcela gjithsej 2,850 bimë të llojit kanabis sativa. Nga këto bimë ishte përpunuar dhe siguruar narkotik në peshë të përgjithshme prej mbi 1,035 kilogramë e 712 gramë, e cila është sekuestruar nga organet e rendit.

Nga hetimet e zhvilluara është zbuluar gjithashtu se njërit prej të pandehurve i ishte premtuar shuma prej 15,000 eurosh për angazhimin e tij në këtë veprimtari. Po ashtu, gjatë kontrolleve ndaj njërit prej të akuzuarve janë gjetur dhe sekuestruar 1,540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim të hedhjes në qarkullim.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, njëri nga të pandehurit akuzohet edhe për veprën penale “Falsifikimi i parasë”, ndërsa një tjetër ngarkohet me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë bastisjeve iu gjet dhe sekuestruar një armë e gjatë automatike AK-47 së bashku me municion.

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që lidhen me narkotikët dhe në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore ndaj personave të përfshirë në veprimtari të tilla kriminale. /E.A/

 

Exit mobile version