UBT News

​Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër P.B., dhe E.Th., për shkak të dyshimit siç thuhet të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej datës 5 janar 2024 deri më 4 prill 2024 në Prizren, i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e personit zyrtar  drejtor i drejtorisë për urbanizëm në Komunën e Prizrenit, ndërsa e pandehura e dytë E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në DUPH në komunën e Prizrenit.

Ata akuzohen se duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat me qëllim të shkaktimit të dëmit Ministrisë së Kulturës (MKRS), duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh., në atë mënyrë që i pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH edhe pse ka pas njohuri se kompleksi “Saraji i vjetër” në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij.

“Ndërsa e pandehura E.Th., më datë 5 janar 2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon më datë 15 janar 2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 4 prill 2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i vjetër” në Prizren, krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ashtu që me dashje tejkalojnë dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre të cila janë të përcaktuara me ligj në drejtimin të moslejimit të rrënimit të objektit “Saraji i vjetër” dhe ndërtimit mbi gërmadhat e saj të kompleksit banesor, me ç’rast shkaktohet një dëm i pariparueshëm i trashëgimisë kulturore në shumë rreth 15.961.832.70 € (pesëmbëdhjetë milionë, e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e dy euro, e shtatë dhjetë cent)”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Exit mobile version