“Ne ndalojmë shkelësit, zbulojmë grupet sabotuese, kërkojmë njerëz të dyshimtë”.
Këto fjalë i përkasin Anatol Fon-Filandras… Ish-aktori ukrainas që u bë pjesë e ushtrisë pas mobilizimit të vendit, po xhiron një film dhe po rikthehet sërish në ekranin e madh.
Filandra ishte një aktor profesionist ukrainas para se të bëhej pjesë e ushtrisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Ai iu bashkua Gardës Kombëtare të Ukrainës. Ai sot është sërish para kamerave dhe ekraneve të mëdha.
“Shokët e mi qeshën kur mësuan për profesionin tim, për atë që kam bërë para luftës. Ka pasur reagime shumë të ndryshme. Për shembull: “më jepni një autograf, që pas dhjetë vitesh të shitet për një shumë të madhe”, thotë Filandra.
Vetëm për katër ditë, ai mori një autorizim special për të luajtur në një film të shkurtër të titulluar “Let there be sunshine and let darkness perish” një histori dashurie që ndodh në kohë lufte.
“Çështjet ushtarake janë rutinore dhe monotone. Ditë për ditë duhet të bësh disa gjëra jopopullore. Por këto veprime kanë rezultate shumë domethënëse në planin afatgjatë. Objektivi im me këtë projekt është të tërheq vëmendjen te ushtria, te problemet që ekzistojnë”, thotë Filandra dhe shpjegon situatën me të cilën përballet vendi i tij.
Regjisori i filmit, Igor Tykhomyrov e ka shkruar skenarin para vitit 2014. Por sipas tij është i rëndësishëm edhe sot.
“Mendoj se fakti që nuk e xhiruam deri tani ka kuptim sot. Sot është koha për të folur për gjëra të tilla. Ne morëm lejen që Anatol të luante në projekt nga Garda Kombëtare në një rol mjaft të thjeshtë sepse fillimisht e dërguam skenarin, ata e lexuan, e kuptuan se historia ishte patriotike, plot sens, se është kinema serioze”, shton ai.
Igor Orynko, komandant i njësisë ushtarake 3082 të Gardës Kombëtare të Ukrainës thotë se ndonjëherë ushtarët e rinj kanë më shumë motivim se të vjetrit dhe Anatol me sa duket është një nga ta./UBTNews/