UBT News

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Exit mobile version