Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka folur në një konferencë për media para ndeshjes me Izraelin, e parë për ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm
Duke folur për grupin ku bënë pjesë Kosova, trajneri framcez deklaroi se nuk është grup shumë i vështirë, por që asnjëri prej rivalëve nuk duhet të nënvlerësohet.
“Përgjithësisht ndodhemi në një grup i cili nuk është shumë i vështirë mirëpo në të njëjtën kohë në grup apo ekipe apo përfaqësuese të cilat nuk duhet t’i nënqmojmë. Pastaj është një grup i cili na jep ambicie për të shkuar më tej prandaj edhe jemi këtu… Qëllimi është të instalojmë në këtë grup lojtarësh atë idenë që të japin maksimumin dhe do të thoja me një ambicie e cila nuk ka një limit të caktuar. Padyshim, meqenëse grupi nuk është më i vështiri i mundshëm atëherë ekziston edhe kjo mundësi që ndoshta të kualifikohemi mirëpo ideja është që të kemi një ambicie të madhe dhe ta instalojmë këtë në mesin e lojtarëve”, tha Giresse.
Tutje ai konfirmoi mungesën e dyshes Elbasan Rashani dhe Uran Bislimi për këtë ndeshje, teksa zbuloi gjithashtu se anësori Ermal Krasniqi nuk është ftuar në kombëtare, por që mund të ftohet nëse këto ditë ndonjë lojtar nuk është në formën më të mirë fizike.
“Në krahasim me listën fillestare të cilën e keni parë i kemi dy ndryshime. Ndryshimi i parë është Elbasan Rashani i cili mungon për shkak të lëndimit dhe emri i dytë është Uran Bislimi… Sa i përket Ermal Krasniqit, ai bën pjesë në atë që ne e quajmë paralistë, do të thotë nuk ishte ftuar në këtë grupin prej 25 lojtarëve të cilët i dimë, do të thotë ishte pjesë e kësaj paraliste dhe mbetet të shihet pastaj ne nuk e dimë ende situatën e grupit për shkak se jo të gjithë lojtarët kanë ardhur dhe janë grumbulluar, pastaj kemi disa lojtarë të cilët ndoshta nuk po ndihen mirë si është rasti i Arbnor Mujës, pra mbetet një situatë e cila duhet të shihet, ndoshta edhe ftohet”, theksoi ai.
Në lidhje me numrin e vogël të lojtarëve të ftuar nga Superliga e Kosovës, Giresse theksoi se atyre nuk iu mungon cilësia, por që kombëtarja për momentin ka nevojë për lojtarë me përvojë ndërkombëtare. Ai shtoi se në një fazë siç është kjo e kualifikimeve nuk guxojmë dhe nuk kemi kohë që ti provojmë.
Ndërkohë, menaxheri i kombëtares Bajram Shala ka zbuluar se futbollisti Uran Bislimi ka refuzuar të luajë për Kosovën me arsyetimin se për shkak të dyshtetësisë ende nuk e di nëse do të luajë për Kosovën apo Zvicrën. Në të njëjtën situatë, Shala zbuloi se ndodhet edhe Mërgim Berisha.
Madje për Bislimin, Shala deklaroi se ai i ka humbur të gjitha mundësitë që të luajë për Kosovën.
“Uran Bislimi ka qenë në listë, është ftuar, e ka konfirmuar ardhjen dhe për herë të dytë në tri grumbullimet e fundit Uran Bislimi e ka refuzuar Kosovën edhe besoj që kjo është hera e fundit që ai ka pasur mundësi ta refuzojë Kosovën sepse e ka bërë një gjë të tillë në shtator, kemi treguar mirëkuptim, ka ardhur në nëntor është promovuar me këtë ekip kombëtar e ka puthur fanellën e Kosovës kur ka shënuar gol dhe tani e ka refuzuar edhe njëherë tjetër Kosovën edhe nuk e ka refuzuar ai, por e ka refuzuar përmes klubit. Nuk ka pasur as guxon dhe respekt që ai ta konfirmojë që nuk do të vie”, tha Shala.
Për Berishën, Shala tha se ëndrra e tij është që të luajë me Gjermanin edhe pse Kosova ka bërë gjithçka për të.
“Mërgim Berishën jemi duke e pritur që katër vite e gjysmë. Jemi pajtuar me të në kohën kur ka qenë duke luajtur në Salsburg që të jetë pjesë e ekipit kombëtar në ndeshjet e tetorit të vitit 2019…I kemi ofruar gjithçka që mund t’i ofrohet një lojtari deri tek detajet e pajisjes me patentë shofer në Kosovë, deri aty kemi shkuar me Mërgim Berishën dhe kemi diskutuar me agjentin e tij. Gjithçka që mund t’i ofrohet një lojtari Kosova i ka ofruar Mërgim Berishës, mirëpo nëse ëndrra e tij ka qenë të luaj me Gjermaninë, tash duket se po e realizon ai”, theksoi Shala.
Kosova luan në udhëtim te Izraeli më 25 mars, dhe pastaj me Andorrën në Prishtinë më 28 mars.