UBT News

Nga Oda e Hotelierisë thonë se nuk do t’i respektojnë masat antiCOVID

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës përmes një reagimi për media thekson se nuk do t’i respektojnë masat antiCOVID të paralajmëruara nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Në reagimin e OHT-së thuhet se shumë biznese kanë pësuar që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.

“Gjatë krejt kohës bizneset në përgjithësi kanë qenë të kujdesshëm në respektimin e masave, dhe kanë qenë të gatshëm të bashkëpunojnë në çdo aspekt për mbrojtjen e qytetarit.  Mirëpo në anën tjetër, pas një viti sakrificë të të gjitha bizneseve, të gjitha subjektet politike, të gjitha pa asnjë përjashtim, e shikuan vetëm interesin e vetë. Manipuluan me popullin duke u bërë kinse interesohemi për ju, dhe në momentin që i duhej po ky popull, u anashkaluan komplet masat duke dalë jashtë në turma, sikurse gjithqka ndërroj brenda nate, e nuk po egziston më Virusi, dhe në fund prap se prap me pasojat po përballen bizneset”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva iu bën thirrje të gjitha bizneseve nga të gjitha sektorët të vazhdojnë t’i respektojnë masat e manualit që i keni dhe të cilin bashkarisht e kemi punuar.

“Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës edhe njëherë iu bën thirrje juve kushdo që jeni duke i planifikuar këto masa: Mos i kufizoni bizneset më, mos bëni eksperimente përndryshe asnjë masë e palogjikshme nga ana juaj nuk do të merret parasysh dhe nuk do të respektohet”, thuhet më tej në reagim./UBTNews

Exit mobile version