Është kjo Edonisa Aliu, mesfushorja 19-vjeçare e KFF Feronikelit, e cila karrierën si futbolliste profesioniste e filloi si 12-vjeçare.
Gjithçka filloi në një turne futbolli mes shkollave shtatë vite më parë ku ajo u shpall kampione në regjionin e Mitrovicës. Talenti i saj i ra në sy trajnerit të KF Drenicës, Fisnik Lushtakut, i cili i bëri ftesë Edonisës t’i bashkangjitej ekipit dhe ajo aty filloi karrierën.
“Dashurinë për futbollin e kisha në shpirt. Qysh nga vegjëlia ëndërroja të bëhem një futbolliste dhe ishte mami im ajo që më shtyu në këtë drejtim dhe më ka këshilluar të fillojë në klubin e Drenicës”, tha ajo.
Mesfushorja ishte për dy vjet e gjysmë pjesë e Drenicës e më pas kaloi te Feronikeli, ku në sezonin 2019/2020 ishin finaliste në superligën e futbollit të femrave dhe humbën kundër KFF Mitrovicës me rezultat minimal 1 me 0.
Paragjykimet e njerëzve nuk e ndaluan atë ta ndjek ëndrrën e saj.
“Fillimet e karrierës ishin të vështira sepse kisha paragjykime të shumta, ajo që më thuhej zakonisht ishte se femrat nuk dijnë të luajnë futboll”, theksoi ajo.
Kapitenja e Feronikelit ishte pjesë e përfaqësueses së Kosovës katër vjet më parë dhe ëndrra e saj më e madhe është rikthimi aty, sepse siç shprehet ajo, fanella e shtetit tënd peshon më rëndë se cilado fanellë tjetër.
“Synimi im ekipor është rikthimi i KFF Feronikelit lartë në tabelë sepse pas problemeve të ekipit tonë njëjtë edhe të djemve kemi pësuar rënie, por do i bashkojmë forcat dhe do të kthehemi dinjitetshëm. Sa i përket synimit individual dëshira ime është që në të ardhmen e afërt të jem lojtare e ndonjë lige evropiane”, shtoi Edonisa.
Kërkesa e saj është që bizneset dhe institucionet përkatëse të kenë më shumë përkrahje për futbollin e femrave sepse është e vështirë mbijetesa në Kosovë vetëm si futbolliste.
“Mesazhi im për të gjithë femrat që dëshirojnë të fillojnë rrugëtimin në sportin e futbollit është të mos ndalojnë për asnjë gjë, të punojnë që në të ardhmen kjo t’iu shpërblehet dhe të tregojnë se femrat janë të forta dhe ia dalin pavarësisht gjithçkaje”, përfundoi ajo./UBTNews