Në një kohë kur sfidat shëndetësore po ndryshojnë me shpejtësi dhe nevoja për profesionistë të rinj e të përgatitur po rritet çdo ditë, UBT sjell programin Shëndeti Publik dhe Shkenca Mjekësore. Ky program është krijuar për të rinjtë që duan të ndërtojnë një karrierë në shëndetësi dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e individëve dhe komuniteteve.
Programi kombinon njohuritë shkencore me përvojën praktike, duke u ofruar studentëve një formim bashkëkohor dhe të orientuar drejt kërkesave të tregut të punës. Gjatë studimeve, studentët zhvillojnë aftësinë për të analizuar problemet shëndetësore, për të marrë vendime të bazuara në prova dhe për të bashkëpunuar në mënyrë profesionale me ekipe të ndryshme të kujdesit shëndetësor. Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe etikës profesionale, kërkimit shkencor, parandalimit dhe promovimit të shëndetit.
Studimi në UBT u jep studentëve mundësinë të jenë pjesë e një mjedisi akademik modern dhe dinamik. Përvoja e gjatë e UBT-së në edukimin shëndetësor, kampusi modern, laboratorët e pajisur, poliklinika universitare me mbi 20 ambulanca, Spitali Universitar United Hospital dhe bashkëpunimet ndërkombëtare krijojnë një bazë të fortë për një përvojë studimore që lidh teorinë me praktikën dhe përgatit studentët për sfidat reale të profesionit.
Programi Shëndeti Publik dhe Shkenca Mjekësore hap mundësi të ndryshme për zhvillim profesional. Të diplomuarit mund të angazhohen në qendrat e shëndetit publik, institucionet e kujdesit parësor dhe parandalues, institucionet qendrore dhe komunale, organizatat joqeveritare, projektet ndërkombëtare dhe fusha të ndryshme që lidhen me promovimin e shëndetit, monitorimin e faktorëve të rrezikut, sigurinë ushqimore dhe mjedisore. Gjithashtu, diploma krijon mundësi për vazhdimin e studimeve në nivelin Master, në UBT apo universitete të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Nëse je një i ri që kërkon më shumë se një diplomë dhe dëshiron të ndërtosh një profesion me ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri, ky program të ofron njohuritë, aftësitë dhe përvojën që të jesh profesionist lider në shëndetësi.
Për këtë program, UBT ofron bursë prej 20% për të tri vitet e studimit, si mbështetje për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në fushën e mjekësisë.
