Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shpalli ftesën e shoqatës United Nations Association Albania (UNAA) për të marrë pjesë në takimet e diskutimeve që do të organizohen në bashkëpunim me ministrinë dhe grupet e interesit. Qëllimi i këtyre takimeve është të shqyrtohen dhe të diskutohen çdo rekomandim dhe propozim i dhënë nga grupet e punës, duke përfshirë drejtpërdrejt komunitetin artistik dhe duke siguruar që çdo zë të jetë pjesë integrale e procesit të hartimit të politikave.
UNAA bëri të ditur se në raundin e dytë të projektit “UNAA x Artnexus” do të intensifikohet angazhimi për të promovuar politika kulturore më të hapura, gjithëpërfshirëse dhe demokratike në Shqipëri. Ky zhvillim vjen pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes UNAA-s dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili u firmos këtë verë pas prezantimit të studimit mbi mekanizmat e mbështetjes dhe burimet financiare për artin pamor në Shqipëri, mbajtur në praninë e komunitetit artistik.
Në një deklaratë të publikuar, UNAA thekson se pjesë e misionit të saj është të sigurojë hapjen dhe transparencën e politikave kulturore, duke krijuar një platformë ku zërat e ndryshëm, veçanërisht ata të margjinalizuar, dëgjohen dhe vlerësohen në procesin e politikëbërjes. Qëllimi është demokratizimi i politikave kulturore për të përmirësuar mbështetje dhe përfshirje për të gjithë aktorët e komunitetit kulturor.
Ky angazhim synon të kontribuojë në zhvillimin e politikave kulturore që janë më të përshtatshme dhe përfshirëse, duke reflektuar nevojat dhe shqetësimet e të gjithë pjesëmarrësve në fushën e artit dhe kulturës./UBTNews/