“Jam munduar që ta fshij si kujtim, pasi kanë qenë momente të trishta në jetën time. Shikoja shokët që argëtoheshin, ndërsa unë isha në karrige me rrota”.
Nga mosha 5 deri në 7 vjeç, Martin Braithwaite vuajti nga një çrregullim i ijes që mund ta kishte lënë edhe me deformim të femurit. Sot, luan me gjigantët e Barcelonës.
Në një intervistë për CNN Sport, sulmuesi i Barcelonës tregon se ndihej në siklet, pasi ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë.
“Asnjë fëmijë nuk dëshiron që ta ketë një vëmendje të tillë, isha në siklet gjithë kohës. Pavarësisht problemeve, nuk e humba shpresën. Ëndërroja të bëhesha futbollist profesionist”, tha Braithwaite.
Udhëtimin e tij nga karrigia me rrota në një fushë me Leo Messin, norvegjezi e konsideron “të pabesueshëm”.
Pas aventurave jo të bujshme në Angli dhe Francë, Braithwaite kaloi në Spanjë, te Leganes, kur një ditë të bukur e telefonoi agjenti i tij për t’i thënë se Barcelona ishte “shumë, shumë e interesuar”.
“U gëzova, por kam shumë vite në futboll dhe e di që interesimi nuk do të thotë asgjë. Gjatë negociatave, as gruas nuk ia thashë që më kërkonte Barcelona. Ia fshihja mesazhet dhe telefonatat që merrja. Por, lajmet i kishte parë në celular dhe kur ia thashë unë, ajo e dinte tashmë”, tregon norvegjezi.