UBT News

Nga ëndrra e Botërorit te kthimi në shtëpi, Arbitrit somalez i mohohet hyrja në SHBA

Arbitri nga Somalia, Omar Artan, i konsideruar si një nga gjyqtarët më të mirë në Afrikë, nuk është lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke humbur kështu mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës në futboll.

34-vjeçari kishte udhëtuar drejt Miamit me synimin për t’u bërë arbitri i parë nga Somalia që do të drejtonte ndeshje në një Botëror. Megjithatë, sipas raportimeve, autoritetet kufitare amerikane e ndaluan atë sapo mbërriti në aeroport.

Artan ka bërë të ditur se u mbajt për 11 orë në një dhomë të posaçme dhe më pas u kthye në Stamboll, nga ku kishte nisur udhëtimin drejt SHBA-së.

“Jam shumë, shumë i dëshpëruar. Kam pasur të gjitha dokumentet dhe vizën e nevojshme. Jam vetëm një gjyqtar futbolli që po përpiqet të realizojë ëndrrën e jetës së tij, të marrë pjesë në Kupën e Botës”, ka deklaruar ai për The New York Times.

Sipas Artanit, autoritetet amerikane nuk i dhanë ndonjë arsye të qartë për refuzimin e hyrjes në vend.

“Mendoj se kanë probleme me vendin tim”, është shprehur ai.

Ndërkohë, një zëdhënës i Department of Homeland Security ka konfirmuar se arbitri somalez u konsiderua “i papranueshëm për shkak të shqetësimeve në procesin e verifikimit” dhe për këtë arsye iu mohua hyrja në SHBA.

Edhe pse FIFA kishte garantuar se pjesëmarrësit e Botërorit do të mund të hynin në SHBA, organizata ka pranuar se nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në vendimet e autoriteteve kufitare amerikane.

Sipas raportimeve të The Athletic, rasti i Artanit ka shkaktuar shqetësim dhe keqardhje te shumë prej kolegëve të tij arbitra. Shumë prej tyre kanë shprehur solidaritet me somalezin, i cili mund të mos ketë më një mundësi të tillë në karrierën e tij.

“The Athletic” vlerëson se gjasat janë të mëdha që ëndrra e Artanit për të gjykuar në një Kupë Bote të mbetet e parealizuar, duke e bërë këtë një nga historitë më të dhimbshme të futbollit ndërkombëtar në prag të turneut më të madh të sportit.

Exit mobile version