UBT News

Nga basketbolliste në gjyqtare që synon garat evropiane, njihuni me Irma Konjushën

Tanimë ish-basketbolliste, Irma Konjusha kishte vendosur që të pensionohet nga ky sport, ku fitoi shumë trofe në karrierën e saj, por që ky nuk do të jetë fundi për karrierën e saj në parket.

Pas pensionimit, Konjusha ka vendosur që të jetë gjyqtare, ku javën e kaluar debutoi në Superligën e Kosovës në basketboll, dhe u bë njëra nga fermat e rralla që gjykon në elitën e meshkujve.

Po ashtu, Konjusha është kandidate potenciale për licencë të FIBA-s, ku edhe ka treguar që synimi i saj është të ndajë drejtësinë edhe në garat evropiane.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së, Irma tregoi se a ishte vendim i vështirë pensionimi nga basketbolli, ku më pas foli edhe për synimet e saj.

“Ishte vendim i vështirë për tu pensionuar, pasi është sporti i zemrës time, ku një pjesë të madhe të jetës time, e kam kaluar në parket. Megjithatë, e kam konsideruar se është koha e duhur për tu larguar si basketbolliste për t’iu përkushtuar një profesioni tjetër, me shumë rëndësi për mua”, tha Konjusha për faqen zyrtare të FBK-së.

“Si basketbolliste kam fituar shumë trofe, ndërsa si gjyqtare, shpresoj se do të licencohem dhe të gjykojë ndeshje ndërkombëtare, të organizuara nga FIBA. Do të ishte nder dhe përgjegjësi. Shpresoj që me punë do të arrij këtë qëllim një ditë”, shtoi më tej Konjusha.

Irma së fundi ishte pjesë e Bashkimit, kurse ka luajtur për Prishtinën dhe Penzën, duke fituar shumë trofe në karrierën e saj. Po ashtu ka luajtur për Kosovën A të femrave, duke debutuar në garat ndërkombëtare, kurse sa ishte pjesë e skuadrës prishtinase garoi në FIBA EuroCup Women.

Exit mobile version