Galeria e Artit Tiranë ka prezantuar një koleksion të veçantë qilimash tradicionalë dhe bashkëkohorë në ekspozitën “Qoftë e shëndetshme dora që krijon – Arti i qilimave: Azerbajxhan & Shqipëri”.
Ekspozita sjell në fokus traditën e endjes përmes historive, teknikave dhe mjeshtërisë së artizanëve që ruajnë e po ashtu e përcjellin këtë trashëgimi të rëndësishme kulturore.
Qilimat shumëngjyrësh paraqiten si një pikëtakim mes kulturave shqiptare dhe azerbajxhanase, ndërsa artizanët e të dy vendeve ndajnë punimet dhe përvojat e tyre, duke treguar pasionin që kalon brez pas brezi.
Ky dialog artistik do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 20 janar 2026.
Ekspozita, e kuruar nga Edit Pula dhe Azerkhalcha, përfaqëson një bashkëpunim të rëndësishëm mes Galerisë së Artit Tiranë dhe kompanisë azerbajxhanase Azerkhalcha, i cili nisi nëntë muaj më parë me mbështetjen e Ambasadës së Azerbajxhanit. /A.Z/UBT News/

