Neymar ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga Kombëtarja e Brazilit, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë dhe të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare.
Ylli i Santosit njoftoi vendimin pas një fushate zhgënjyese të Brazilit në Kupën e Botës 2026, ku “Seleçao” u eliminua në fazën e 1/8 së finales nga Norvegjia, nën drejtimin e trajnerit Carlo Ancelotti.
Sulmuesi brazilian shfrytëzoi rastin për t’iu përgjigjur edhe raportimeve të fundit në media, sipas të cilave ai kishte pasur sjellje të papërshtatshme ndaj futbollistëve më të rinj në dhomën e zhveshjes së Santosit. Neymar i hodhi poshtë këto pretendime dhe u përqendrua te trashëgimia e tij me fanellën e Brazilit.
Duke reflektuar mbi karrierën e tij me kombëtaren, 34-vjeçari theksoi se nuk ka asnjë pendesë për kontributin e dhënë dhe se gjithmonë ka luajtur me përkushtim maksimal për fanellën e verdhë.
“Koha ime me kombëtaren ka përfunduar. Kam bërë histori, kam qenë shumë i lumtur, kam dhënë gjakun dhe jetën time. Gjithmonë kam luftuar për këtë fanellë, por tani nuk dua më”, deklaroi Neymar.
Vendimi i tij shënon fundin e një epoke për futbollin brazilian. Neymar largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Brazilit dhe një prej figurave më të rëndësishme të saj gjatë më shumë se një dekade.
Pas mbylljes së aventurës ndërkombëtare, sulmuesi pritet të përqendrohet te karriera në nivel klubesh me Santosin, skuadrën ku nisi rrugëtimin e tij profesional.
Momenti i lamtumirës ishte veçanërisht emocional në “MetLife Stadium” në New Jersey, ku Neymar u pa duke qarë pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës. Pavarësisht se realizoi një penallti në sekondat e fundit të takimit, ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain nuk arriti ta fshihte zhgënjimin, pasi rrugëtimi i tij 16-vjeçar me kombëtaren përfundoi në mënyrën më të dhimbshme.
D.L
