Kapiteni i Santosit, Neymar, e ka kaluar me humor një incident të papritur që i ndodhi skuadrës braziliane të mërkurën, kur autobusi i ekipit pësoi defekt gjatë rrugës për në ndeshjen e Serie A kundër Coritibas.
Për shkak të problemit mekanik, futbollistët u detyruan të zbresin nga autobusi në mes të rrugës dhe të prisnin rreth dhjetë minuta për një automjet tjetër, të siguruar nga klubi. Megjithatë, incidenti nuk ndikoi në orarin e ndeshjes, pasi Santos arriti me kohë në stadiumin Couto Pereira, ku përballja ishte paraparë të fillonte në orën 19:30 sipas kohës lokale.
Neymar, i cili ishte në mesin e futbollistëve që zbritën nga autobusi, reagoi me humor përmes rrjeteve sociale. Duke iu referuar nofkës së klubit brazilian, “Peshqit”, ai publikoi një video nga momenti i incidentit me mbishkrimin: “Ata sabotuan peshqit e mëdhenj. Ekipi i argëtimit nuk ndalet”.
Sipas mediave braziliane, defekti shkaktoi për pak çaste shqetësime edhe për sigurinë e futbollistëve, veçanërisht për shkak të pranisë së ekipit personal të sigurisë së Neymarit. Megjithatë, delegacioni i Santosit shoqërohej edhe nga policia ushtarake.
Vetë klubi konfirmoi se bëhej fjalë për një problem mekanik me autobusin e marrë me qira dhe se kishte ndërhyrë menjëherë për të siguruar një automjet tjetër, duke minimizuar vonesën në mbërritjen e skuadrës në stadium.
Ndërkohë, Neymar u rikthye në formacionin titullar për këtë përballje, pas vuajtjes së një pezullimi prej dy ndeshjesh. Sulmuesi brazilian, që u rikthye te klubi ku nisi karrierën në janar të vitit 2025, pas aventurës te Al Hilal, këtë sezon ka regjistruar dhjetë gola dhe tetë asistime në 28 paraqitje.
Braziliani vazhdon të synojë rikthimin në formën e tij më të mirë fizike, pas disa sezoneve të vështira të shoqëruara me lëndime.
D.L
