Newborn do të ndryshojë pamje për të 12-tin vit me radhë. Ashtu sikurse çdo përvjetor të pavarësisë, qytetarët janë ftuar për të kontribuar për ndryshimin e pamjes së monumentit.
Mesazhi i Newborn këtë vit do të ketë pamje të uniformës së ushtrisë, të krijuar nga duart e vetë qytetarëve, ku do ta ngjyrosin shuplakën me njërën nga ngjyrat e ushtrisë dhe ta vendosin në monument.
Kreatori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili thotë se këtë vit dëshiron t’i tregojë botës se jemi të njëzëshëm për sakrificën dhe flijimin e të gjithë atyre që dhanë jetën që ne të jetojmë në paqe.
“Sivjet (ndryshimi i monumentit) i kushtohet luftës së drejtë çlirimtare edhe fakti që dinjiteti i luftës po cenohet tash sa kohë, dhe ne kemi vendosur me i thirre qytetarët të lenë një shenjë, d.m.th të ngjyrosin dorën me ngjyra të ushtrisë dhe të lënë shenjën e tyre ne Newborn, që kur të përfundojë të duket si uniformë e ushtrisë prej duarve të njerëzve”, tha ai
Qytetarët që nga sot e deri të martën e 16 shkurtit mund të shkojnë të monumenti dhe të ngjyrosin dorën, pasi paraprakisht është bërë ngjyrosja bazike e monumentit.
“Tash jemi në fazën e ngjyrosjes bazike që e bëjmë gjithmonë me vullnetarë. Pjesëmarrja e qytetarëve do na nevojitet kur qytetarët do të fillojnë ta vendosin shuplakën e tyre, që po shpresojmë të ndodh sot pasdite, nesër dhe pasnesër deri të mbushet e gjitha”, tha Ismaili.
Në vitin 2020, Newborn iu dedikua të gjitha viktimave te abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës.