Netflix do t’i redaktojë disa skena të serialit “Squid Game” për shkak se shfaqet numri i telefonit i një gruaje, e cila thotë se është telefonuar me mijëra herë nga njerëz të panjohur.
Në episodat e trillerit korean, të gjithë pjesëmarrësve u jepet një kartë. Në njërën anë është numri i telefonit në të cilin të gjithë kandidatët potencialë mund të thërrasin për t’u bërë pjesë e lojës së fëmijëve dhe për të fituar një shumë marramendëse të parave.
Një biznesmene në Seongju, në jug-lindje të Koresë së Jugut, tha për mediat lokale se kishte marrë mijëra mesazhe dhe telefonata në telefonin e saj “deri në atë pikë sa është e vështirë për mua të vazhdoj jetën e përditshme”.
“Ky është numri që e përdor qe më shumë se dhjetë vjet. Mbi 4 mijë numra i kam fshirë nga telefoni. Në fillim nuk e dija pse, por një shoqe e imja më tregoi se numri im u shfaq në “Squid Game”, dhe më vonë e kuptova arsyen”, deklaroi ajo.
Nga Netflix nuk dhanë komente rreth kompensimit, por kërkuan nga fansat që të mos e thërrasin këtë numër.
“Bashkë me produksionin jemi duke punuar për ta zgjidhur këtë çështje, duke i edituar skenat ku shihet numri i telefonit, kudo që është e nevojshme”, thonë nga Netflix.
Ky serial u transmetua për herë të parë më 17 shtator./UBTNews