Qendra për Hapje dhe Dialog, në bashkëpunim me regjisorin Edmond Topi, mirëpriti në COD për dy mbrëmje dy nga filmat e edicionit të 11-të të Dea Film Festival, të seksionit Cine KO.
Filmi “Pranverë e paharruar” (2019) e regjisorit Kushtrim Bekteshi solli për publikun jetën e qetë të një fshati “të harruar”, që ndryshon dramatikisht kur tri prostituta arrijnë në lokalin e fshatit, duke krijuar kaos. Burrat, edhe përkundër përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene, duke harxhuar paratë e fundit në alkool dhe seks. Në fund, gratë çohen në kryengritje. Si pasojë, kafeneja digjet, ndërsa jeta në fshat duket se do të kthehet përsëri në normalitet.
Filmi “Heroi” (2015) nga regjisori Luan Kryeziu flet për historinë e një heroi lufte dhe përballjet e tij të pasluftës në Kosovën e re; rrethanat sociale që e shoqërojnë, si dhe ndikimin politik dhe ekonomik në ndryshimin e karakterit kryesor, i cili kishte virtytet parimore. Dashuria, sinqeriteti e ndershmëria gjunjëzohen nga problemet ekonomike, të cilat ndikojnë në ndryshimin e sjelljeve të individëve, të familjes dhe të shoqërisë.
Salla e kinemasë së COD është një prej vendtakimeve të publikut, në këtë edicion të 11-të të festivalit kinematografik Dea Open Air./UBTNews/