Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump, se do ta nominojë për çmimin Nobel për Paqe.
Dy liderët u takuan për herë të parë të hënën në mbrëmje, sipas kohës në SHBA, për herë të parë që kur u mbyll lufta me Iranin.
Trumpi pritej t’i bënte presion Netanyahut për një armëpushim në Gazë. Në fillim të takimit, Netanyahu ia dha një letër Trumpit, për të cilën ai ka thënë se ia ka dërguar komitetit për çmimin Nobel për Paqe, duke lavdëruar përpjekjet e Trumpit për t’iu dhënë fund luftimeve në Lindjen e Mesme.
“Dua të shpreh vlerësimin dhe admirimin jo vetëm të të gjithë izraelitëve, por të popullit hebre”, ka thënë Netanyahu para se ta prezantonte letrën. “Ju e meritoni këtë”, ka shtuar ai.
Vetë Trumpi në disa raste ka thënë se e ka merituar çmimin Nobel për paqe, pasi siç ka thënë, ka ndalur disa luftëra. Këtu në raste të ndryshme ka përmendur edhe çështjen Kosovë-Serbi.