Fondacioni “Hasan Prishtina” organizon nesër inaugurimin e bustit të heroit kombëtar, Hasan Prishtina, në Prishtinë.
Pjesë e këtij inaugurimi do të jenë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë, pasardhësi i Gjergj Kastriotit Loris Kastrioti – Skënderbeu II, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj dhe të ftuar të tjerë.
Inaugurimi bëhet nga ora 12:00 në rrugën “Hasan Prishtina”, lagjja “Priam Village Prishtina” në Prishtinë.
Hasan Prishtina (1873-1933), ishte ideolog i çlirimit dhe i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, intelektual e atdhetar.
Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.
Pas dështimit të revolucionit të vitit 1924 u largua jashtë atdheut. Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin e Bedri Pejanin në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.
Ai u vra më 13 gusht të vitit 1933 në Selanik. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës me një vendim të Shqipërisë, u sollën nga Selaniku dhe u varrosen në Kukës.