Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, të shpallet ditë zie shtetërore në tërë territorin e vendit. Ky vendim vjen si shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Përmes këtij akti zyrtar, institucionet e shtetit shprehin mirënjohjen e thellë për kontributin e pazëvendësueshëm të akademikut Qosja në ndërtimin e autoritetit shkencor dhe kulturor të Kosovës.
“Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas vendimit të nënshkruar nga u.d. Presidentja Haxhiu, Protokolli i Shtetit është ngarkuar që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e kësaj zije shtetërore. Ky vendim pason lajmin për vdekjen e akademikut dhe përmbylljen e ceremonisë së varrimit, e cila, sipas dëshirës së të ndjerit, u zhvillua në mënyrë private.
