Sardelet i gjejmë të freskëta ose të konservuara dhe mund të përdoren mjaft mirë në sallata, panine apo salca makaronash.
Shija nuk është e vetmja arsye pse njeriu duhet të konsumojë më shpesh sardele.
Këta peshq të vegjël janë shumë të pasur me proteinë, acide yndyrore omega-3, kalcium, hekur, fosfor, riboflavinë, vitaminë B6, B12 dhe D.
Roli i vitaminës B12 në shëndetin e organizmit
Vitamina B12 është një nga më të rëndësishmet e kompleksit të vitaminave B.
Sipas të dhënave mësohet se ajo është e domosdoshme për mëlçinë, sytë, flokët dhe lëkurën.
Kjo vitaminë është e përfshirë në procesin e metabolizmit dhe transformon ushqimin që konsumojmë, në energji.
Trupi e përdor vitaminën B12 për prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, ADN-në, funksionet e sistemit nervor dhe përmirësimin e humorit dhe imunitetit.
Një pjatë me sardele ofron 7.6 mikrogramë vitaminë B12.
Kjo sasi është tre herë më e madhe se rekomandimi ditor për të rriturit që arrin në 2.4 mikrogramë në ditë.
Për fat të mirë, kjo vitaminë e marrë nga ushqimi nuk rrezikon të bëhet toksike nëse merret në sasi më të mëdha.
Trupi prodhon një substancë që kufizon përthithjen e vitaminës B12 dhe pengon mbidozën nga kjo vitaminë.
Të moshuarit, vegjetarianët, personat e alkoolizuar, njerëzit që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në stomak, diabetikët dhed njerëzit që kanë kryer kimioterapi janë më të predispozuar të kenë mungesa të kësaj vitamine.
Të moshuarit kanë vështirësi në përthithjen e vitaminës sepse stomaku i tyre ka më pak aciditet.
Kjo e fundit është e nevojshme të ndajë vitaminën nga ushqimet dhe të lejojë përthithjen e saj nga trupi.
Produktet shtazore janë ndër burimet më të mira të kësaj vitamine.
Frutat e detit, mishi, shpendët, produktet e bulmetit dhe vezët ofrojnë sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine.