Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata e Xhudos, kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi, me ç’rast jetësohet koncepti i integrimit të arteve marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ky koncept, që është në linjë me programin “Kosova, shtet i xhudos” do të fillojë së zbatuari gjatë këtij viti, si pjesë e trajnimeve formale të nivelit bazik.
Me këtë rast, ministri Mehaj theksoi se përmes këtij programi, përveç investimit në përgatitjen e oficerëve dhe ushtarëve, po vlerësohet edhe profesionalizmi i xhudistëve tanë, duke i angazhuar në institucionet tona të sigurisë.
Qëllimi i këtij koncepti është në ngritjen e kapaciteteve profesionale të FSK-së, ashtu që në kuadër të investimit në arsimimin dhe trajnimin e ushtarëve në fushën operacionale, përmes angazhimit të xhudistëve tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, të aftësohen ushtarakët tanë edhe në aplikimin e arteve marciale, si metodë për vetëmbrojtje, neutralizim të kundërshtarit, por dhe nxitje të shpirtit garues ndërmjet ushtarëve.
Përmes këtij programi ambicioz, synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në garat botërore multi-disiplinare të Këshillit Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake.