Ministria e Sporti ka bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshja me ndërmarrjen publike “Pallati i Rinisë”, e cila parasheh rinovimin dhe transformimin tërësishëm të Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
“Pas rinovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, vazhdojmë me projektin tonë ambicioz të transformimit të tërësishëm të Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”. Në planin tonë të investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nëntokësor”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.