Sot është nënshkruar marrëveshja për Roaming falas në të gjithë Ballkanin. Me këtë rast, sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu ka mbajtur një fjalim për të pranishmit.
Ajo e ka quajtur si ditë të ndryshimit për Ballkanin nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Fjala e plotë:
Sot është një ditë ndryshe dhe kjo bën ndryshimin.
Kjo ishte fjalia ime e hapjes në Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Beograd në 4 prill 2019! Mund ta them atë përsëri sot! Suksesi është ndryshimi që bën diferencën!
Nuk besoj se ka nevojë të gjej fjali të gjata për të thënë shkurt sa krenarë jemi ne, në RCC që ishim pjesë e rëndësishme e kësaj historie suksesi. Është ajo frymëmarrja e lehtësimit kur një punë ka mbaruar mirë.
Dhe si në cdo histori suksesi, bashkimi bën fuqinë. Ky process nisi si vendim politik i liderëve të rajonit, për të vijuar me negociata të gjata për më shumë se një vit, të drejtuara nga RCC dhe Komisioni Europian- me Entet rregullatore dhe operatorët e telefonisë celulare.
Ndaj duke lënë mënjanë modestinë them: Sot është një ditë e shënuar për rajonin. Kemi eliminuar pengesat, kufijtë dhe tarifat për telefonat celularë. Ballkani Perëndimor ka tashmë roaming falas (roam-free).
Ky është vetëm hapi i parë. Atë që arritëm me roam free, shpresojmë ta arrijmë me lëvizjen e lirë për qytetarët dhe bizneset e Ballkanit.
Megjithë vështirësitë, po punojmë për rrëzimin e murit të vizave që fatkeqësisht është ende në fuqi në rajon; për eliminimin e tarifave doganore, dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare, në mënyrë që jo vetëm shërbimet e telefonisë celularë, por i gjithë rajoni të funksionojë si një treg i vetëm, pa kufizime.
Poooor, në mënyrë jo poetike, sot mund të ndaj me ju se sa nervoze dhe sa ankth barti 4 prill 2019, kur kjo marrëveshje u nënshkrua. Si gjithmonë në ditë të rëndësishme nuk parashikon dot të paparashikueshmen.
E di, dikush tani po thotë: aman mos u anko se jeta ështëplot me ngjarje që shkaktojnë ankth. E vërtetë. Por dhe unë si gjithë të tjerët, jam e etur për të gjetur rrugën më të mire, me sa me pak pengesa dhe bllokime.
Një natë para samitit, më 3 prill, na u desh një tjetër takim i gjatë dhe i vështirë me entet rregullatore të komunikimeve elektronike të cdo vendi të rajonit, për të sqaruar edhe njëherë çdo shqetësim të shprehur nga operatorët e telefonisë celulare për zbatimin e Marrëveshjes së re Rajonale të Roaming, e cila ishte gati për t’u nënshkruar në më pak se 12 orë.
Si për rregullatorët, ashtu edhe për operatorët, shërbimi pa pagesë i roaming-ut në BP6 ishte pothuajse i pamundur të ndodhte brenda tre vitesh!
Mëngjesin e ditës së samitit, në orën 8, ishte rradha e takimit me ministrat përgjegjës të agjendës digjitale, në prani të Komisionit Europian, për të dhënë mesazhin se roam free për rajonin do të bëhej realitet, pavarësisht problemeve me të cilat përballemi.
Me këtë ndjenjë optimizmi të kujdesshëm, iu afruam sallës se samitit, ku na priste një tjetër problem.
Ishim ende të pasigurt sa i takon nënshkrimit të marrëveshjes nga ministrat që përfaqësonin ekonomitë e tyre në Beograd.
Ishim përgatitur shumë për atë moment, orë të gjata negociatash vjetore midis ekonomive të BP 6-ës, duke shqyrtuar secilin hap, duke përshtatur gjuhën për të respektuar ndryshimet e gjuhës së larmishme politike në rajon, vetëm e vetëm për të gjetur zgjidhjen më të mirë, nga e cila të përfitojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
Por, çfarë do të ndodhë sikur …, ishte pyetja e plotfuqishme që na rrinte si ҫekan mbi kokë.
Moment i gëzuar! Marrëveshja Rajonale e Roaming-ut u firmos!
Siç thoshte Ajnshtajni: në mes të vështirësisë qëndron një mundësi!
Frika e ankthi ia lë vendin gëzimit. Marrëveshja Rajonale e Roaming-ut u nënshkrua dhe të gjithë po jetonim një moment vendimtar për të gjithë rajonin!
Kjo ishte një pikë nisjeje! Historia “# folsinshpi e Ballkanit Perëndimor është me të vërtetë një pikë kthese që eliminon jo vetëm barrierat e komunikimit telefonik, por mbi të gjitha shembi murin e steriotipeve se ky rajon mund të jetojë vetëm përmes barrierave e ndarjeve.
Marrëveshja Rajonale e Roaming-ut ishte një proҫes gradual, por përfitimet prej e saj prekën menjëherë të gjithë qytetarët e rajonit.
Periudha e tranzicionit gjatë vitit të parë solli ulje graduale të kostove të roaming-ut në të gjithë rajonin deri në 96%, për të mbërritur më 1 korrik 2021 në roam free për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, kudo që ata udhëtojnë brenda rajonit.
Çfarë përfshin në të vërtetë marrëveshja e roaming-ut pa pagesë për Ballkanin Perëndimor
Shpesh pyetemi se çfarë do të thotë në të vërtetë Ballkan Perëndimor me roaming ZERO. Unë mendoj se ne kursejmë më shumë sesa vetëm para nga kjo marrëveshje. Kjo marrëveshje ka të bëjë më shumë me ndërlidhjen! Njerëzit ndihen më mirë kur kanë mundësi të jenë në kontakt m njëri tjetrin. . Biseda me një të dashur në telefon, ose me video, mund të mos ketë të njëtin efekt që ka një përqafim, por është po aq një nevojë njerëzore dhe tani do të kushtojë sa do t’ju kushtonte po të ishit duke folur nga shtëpia. Kështu shemben ndasitë dhe kështu mund të kundrojmë më qartë realitetet e njëri tjetrit.
Megjithatë, që do të kursejmë ҫka shpenzonim në roaming është po aq e rëndesishme. Me regjimin e roaming-ut pa pagesë në BP 6-ës qytetarët dhe biznesi do të kenë më shumë vlerë për paratë e tyre.
Do të përpiqem ta ilustroj këtë me shembullin tim personal. Siç e dini, unë jam nga Tirana, punoj në Zyrën Qendrore të RCC-së në Sarajevë dhe udhëtoj me makinë nga njëri vend në tjetrin, përfshirë këtu edhe udhëtime të shpeshta në kryeqytetet e tjera të BP 6-ës. Më besoni, sa herë që kaloj ndonjë nga kufijtë gjatë udhëtimeve të mia, duhet të kontrolloj nëse të dhënat e telefonit tim janë ‘ON’ ose ‘OFF’. Dhe po, pavarësisht besimit të përgjithshëm, më duhet të them se të jeshdrejtues nuk do të thotë të kesh luksin të shpenzosh pa karar.
Dhe tani, të gjithë jemi më të qetë. Edhe kur të kaloni kalon kufiri të ndryshon edhe operatori, unë jam përsëri në rrjet, me të dhënat e celularit ”ON”, duke mos paguar asnjë qindarkë më shumë sesa do të paguaja normalisht për thirrjen, dërgimin e mesazheve ose përgjigjen e e-mail-eve të shumta.
Është e rëndësishme të theksohet, për të eleminuar ndonjë keqkuptim ne do vijojmë t’ju paguajmë shërbimet tona telefonike operatorëve lokalë celularë, por telefonata dhe paketa e internet do të funksionojë njësoj si të jemi në vendin tone, duke respektuar Fair Use Policy sic funksionon cdo marrëveshje roam like at home ….Por sigurisht jo të shohësh filma në Netflix me 4G kur je në roaming.
Të gjithë janë të fituar
E përditshma jonë sot varet pafund nga teknologjia. Lidhja pa kufij na duhet të gjithëve. Nga qytetarët, tek operatorët, komuniteti i biznesit, për të mos harruar pushuesit.
Të flasësh si n’shpi është liri për të shijuar udhëtimet tuaja pa kufizime, pa ankthin e pritjes se si ka mbërritur fëmija juaj në destinacionin për ku është nisur, apo të mos lodhesh për të gjetur restorantin ku do të ndalosh për drekë duke pyetur rrugës. Google map, mund të përdoret pa frikë.
Rruga përpara
Të ulim cmimet e roaming mes Ballkanit e BE.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje rajonale ishte parakusht për të mundësuar uljen e kostove të roaming-ut me shtetet anëtare të BE-së .
RCC-ja tashmë ka përgatitur terrenin dhe është plotësisht e gatshme të fillojë të punojë për ta bërë këtë të mundur.
A kemi përfunduar?
Po! Roaming-u pa pagesë në Ballkanin Perëndimor është tashmë fakt!
E di që BP-ja zakonisht shihet si një rajon që ende nuk e ndjek dot ritmin e teknologjisë së vendeve më të zhvilluara, por ushtrimi i suksesshëm i roaming-ut na ka dëshmuar se sa shpejt mund të përshtatemi ndaj, fokusi ynë mbetet përmirësimi i infrastrukturës dhe lidhjes digjitalepër të krijuar një hapësirë të vetme rajonale dhe një mjedis konkurrues për bizneset
Njerëzit ndërveprojnë më shumë me njëri-tjetrin se makineritë dhe ato janë shtylla kryesore e punës sonë.
Mund të tingëllojë përsëritëse, por mënyra e vetme për të arritur rezultate, është – Bashkë!
A mund t’ia dalim? Sigurisht që po! Ia dolëm me Korridorin e Gjelbër të krijuar vitin e kaluar për të siguruar furnizimin me artikujt e domosdoshëm, ushqim dhe barna për qytetarët edhe gjatë pandemisë, tashmë kemi bërë roaming free realitet.
Të bëhemi së bashku është fillimi
Të qëndruarit së bashku është progres
Dhe të punuarit së bashku është sukses.