UBT News

Nënshkruhet marrëveshja 41-milionëshe për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka për synim modernizimin e infrastrukturës mjekësore dhe sigurimin e pajisjeve të avancuara në sistemin shëndetësor publik.

Financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy bankave evropiane dhe do të përfshijë investime direkte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Projektet përkojnë me objektivat e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030 për digjitalizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve dytësore dhe terciare.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky investim do të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet ndaj pacientëve:

“Marrëveshja e kredisë me BEI dhe CEB në vlerë prej 41 milionë eurosh do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën përcjellëse në QKUK dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë e Gjilan.”

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënvizoi se ky projekt përbën një shtyllë kyçe të reformës shëndetësore:

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe furnizimit me pajisje moderne mjekësore për një periudhë afatgjatë.”Nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, nënkryetari i BEI-t, Robert de Groot, dhe zëvendësguvernatori i CEB-it, Johannes Böhmer, vlerësuan se investimi do të garantojë diagnostikim më të saktë dhe trajtim më efektiv për qytetarët e Kosovës.

“Përmes këtij operacioni po ndihmojmë që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne për një kujdes më të mirë mjekësor”, u shpreh de Groot.

“Mund të thoshim se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Popullata pret një sistem të fortë shëndetësor si shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë”, shtoi Böhmer. /Ekonomia Online/

 

Exit mobile version