UBT News

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Exit mobile version