Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë janë bashkuar në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, përmes shfaqjes koreografike “Neighbours – From Motherland”, e cila trajton rrënjët, identitetin dhe të përbashkëtat mes kulturave shqiptare e kurde.
Shfaqja, e realizuar nga koreografët Brigel Gjoka dhe Rauf Yasit, u prezantua të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, pas paraqitjeve më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit.
Koreografia ndërthur kërcimin bashkëkohor me elemente të vallëzimit tradicional, ndërsa lëvizjet, ritmi dhe muzika krijojnë një dialog mes kulturave. Në performancë janë ndërthurur tinguj të muzikës kurde, turke dhe shqiptare, përfshirë këngën tradicionale “Fustanin që ta solla mbrëmë”.
Koreografi Rauf Yasit ka treguar se vepra është zhvilluar në disa etapa. Pjesa e parë u krijua në vitin 2019, fillimisht në heshtje, ndërsa në vitin 2021 u ndërtua pjesa e dytë, me përfshirjen e muzikës.
“Ne festojmë rrënjët tona dhe prejardhjen tonë”, ka thënë Yasit, duke shpjeguar se koncepti është zhvilluar gradualisht përmes hulumtimit të lëvizjes dhe identitetit kulturor.
Për koreografin Brigel Gjoka, i cili për herë të parë ka punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës, ky bashkëpunim ka qenë një përvojë e veçantë dhe emocionale.
“Unë nuk do të them se ka të bëjë me humbjen e rrënjëve; do të them se ka të bëjë me rikthimin te rrënjët. Mendoj se jemi më afër secilit person tjetër, pavarësisht kombësisë së tij”, ka deklaruar Gjoka.
Edhe balerina Rovena Shqevi ka theksuar se mesazhi i shfaqjes shkon përtej kulturave shqiptare dhe kurde, duke përcjellë një thirrje për mirëkuptim, respekt dhe bashkëjetesë.
“Në fund të ditës, të gjithë jemi njerëz, pavarësisht kombësive të cilave u përkasim. Marrëdhënia jonë duhet të jetë gjithmonë e mirë, e bukur, me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, pa dhunë, pa luftë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin mes dy trupave, duke thënë se gjatë rreth pesë javëve të punës intensive në Tiranë, artistët kanë funksionuar si një trup i vetëm.
Në shfaqje kanë interpretuar edhe dy koreografët, si dhe Isa Gjocaj, Aulonë Nuhiu, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Isida Mollaymeri, Livia Lara, Armando Meci dhe Enea Qiriçi.
“Neighbours – From Motherland” sjell në skenë një rrëfim për afërsinë mes kulturave dhe rikthimin te rrënjët e përbashkëta, duke përcjellë mesazhin se arti mund të krijojë ura komunikimi përtej dallimeve kombëtare./A.K/
