UBT News

Në udhëtimin letrar të Kongolit, bashkëbisedim me lexuesit

Fatos Kongoli një shkrimtar i njohur i letrave shqipe ishte i pranishëm dje në hapësirat e Librarisë Bukinist, në një takim me lexues.

Kongoli foli për udhëtimin e tij letrar, duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve. Gjatë aktivitetit, mbështetur edhe nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, shkrimtari takoi nga afër lexuesit e tij si dhe u dha atyre autografe.

“Kthimi i librave në hapësira takimi jo vetëm me librin por dhe me autorët e dashur, i bën ato më tërheqëse e më të dashura për lexuesit”, shkroi QKLL në faqen e saj online.

Shkrimtari i njohur i letrave shqipe dhe anëtari i Akademisë së Shkencave, Fatos Kongoli, këtë vit festoi 80-vjetorin e lindjes. Kongoli është cilësuar nga kritika si shkrimtar i tranzicionit, pasi gjithë veprën ia dedikon Shqipërisë në mbi 3 dekada demokraci, shkruan ATA.

Vepra e Fatos Kongolit tërhoqi vëmendjen dhe emocionet e lexuesit shqiptar dhe atij të huaj për paraqitjen traumatizuese të jetës së njeriut shqiptar në dy periudha: gjatë diktaturës dhe në tranzicion. Përballja e individit me absurdin e jetës, dramat e brendshme të tij; depërtimi në psikikën e njeriut me mendim e ndjenja të ndrydhura; krijimi i antiheronjve jo për kundërvënie kanonike ndaj kultit të mëparshëm të heroit, por si mundësi për të zbritur në të panjohurat tronditëse të qenies njerëzore, përbëjnë risi themelore krijuese të veprës së tij./UBTNews/

Exit mobile version