UBT News

Në udhëtim drejt lirisë! Shqipëria e vitit 1994 në objektivin e Gianni Bellesia

Mbrëmjen e së premtes, në Durrës u hap ekspozita fotografike “Shqipëria 1994 – Një popull në lëvizje”, me autor fotografin italian Gianni Bellesia dhe e kuruar nga Petrit Kozeli.

Kjo ekspozitë sjell për publikun shqiptar një rrëfim të fuqishëm vizual, të realizuar tri dekada më parë, në një periudhë kur vendi përpiqej të shëronte plagët e diktaturës dhe të ndërtonte një jetë të re.

Fotografitë e shkrepura në Durrës dhe në zonën e thellë të Nënshatit pasqyrojnë fytyrat, rrugët dhe shpresat e njerëzve të thjeshtë, të cilët në fillim të viteve ’90 nisën udhëtimin e tyre drejt lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, në janar 1994, si pjesë e një misioni humanitar, pashë një vend që kërkonte të rilindte. Ishte një kohë e mbushur me vështirësi, por edhe me dritë në sytë e njerëzve. Kjo ekspozitë është një dëshmi e atij shpirti të fortë që më frymëzoi shumë. Sot, kur kthehem pas tri dekadash, shoh ndryshime të mëdha,” rrëfen fotografi Gianni Bellesia.

Ekspozita u realizua me mbështetjen e FotoKlub Durrësit, një nismë e re që synon të krijojë hapësira bashkëpunimi dhe zhvillimi për dashamirësit e fotografisë në qytet.

Ajo qëndroi e hapur gjatë fundjavës në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës dhe u vlerësua nga të pranishmit si një udhëtim emocional në kujtesën e një kohe që ndryshoi rrënjësisht jetën e shqiptarëve – një kujtesë që mbetet e gjallë falë artit të fotografisë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version