Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan është mbajtur konferenca mbi sigurinë në komunikacionin rrugor, e organizuar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, përkatësisht Departamenti i Trafikut dhe Transportit. Konferenca mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë të komunikacionit, profesorë, studentë dhe profesionistë të fushës, të cilët diskutuan mbi sfidat aktuale dhe mundësitë për avancimin e sigurisë rrugore në Kosovë.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të profesorit Beni Kizolli, i cili theksoi rëndësinë e organizimit të platformave të tilla akademike dhe profesionale, ku bashkohen institucionet, ekspertët dhe studentët për të trajtuar temat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, vlerësoi rëndësinë e sigurisë rrugore si një prej sfidave më të mëdha të kohës, duke theksuar se universitetet kanë rol të rëndësishëm në krijimin e politikave, zgjidhjeve dhe kapaciteteve profesionale që kontribuojnë në uljen e numrit të aksidenteve dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit.
“Siguria në komunikacion nuk është vetëm çështje infrastrukture apo zbatimi të ligjit, por është edhe çështje edukimi, planifikimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional. UBT mbetet i përkushtuar që përmes programeve akademike dhe aktiviteteve shkencore të kontribuojë në zhvillimin e një sistemi transporti më të sigurt dhe më efikas”, tha Krelani.
Në kuadër të konferencës u zhvillua edhe një panel diskutimi me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve të institucioneve relevante.
Fejzullah Mustafa, Drejtor i Departamentit për Patentë Shofer në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, prezantoi prioritetet strategjike të institucioneve në fushën e sigurisë rrugore. Ai theksoi rëndësinë e themelimit dhe funksionalizimit të Agjencisë për Siguri Rrugore, harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian (AQUIS), harmonizimin e bazave të të dhënave me sistemet përkatëse, investimet në infrastrukturën e sigurisë rrugore dhe zbatimin e indikatorëve kyç të performancës (KPI) si mekanizma për matjen e progresit në këtë sektor.
Drejtori i Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Nënkolonel, Jeton Rexhep, prezantoi sfidat me të cilat përballen institucionet e sigurisë në monitorimin dhe menaxhimin e trafikut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe qytetarëve për parandalimin e aksidenteve.
Profesori Visar Baxhuku foli për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në fushën e sigurisë rrugore, duke theksuar se teknologjitë moderne po ndryshojnë mënyrën se si analizohen aksidentet dhe menaxhohen rreziqet në trafik.
“Inteligjenca Artificiale ka potencial të madh për të transformuar mënyrën e analizimit të aksidenteve të trafikut. Përmes përpunimit të të dhënave, simulimeve dhe parashikimeve të avancuara, ajo mund të ndihmojë jo vetëm në identifikimin e shkaqeve të aksidenteve, por edhe në parandalimin e tyre. Megjithatë, aplikimi i saj kërkon kujdes të veçantë ndaj çështjeve etike, duke ruajtur balancën ndërmjet sigurisë dhe të drejtave individuale”, tha Baxhuku.
Kontribut në diskutim dha edhe Astrit Zejnullahu nga Ndërmarrja Publike e Trafikut Urban, i cili trajtoi rëndësinë e transportit publik dhe ndikimin e tij në krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe më të sigurt të mobilitetit urban.
Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me materialet informuese dhe fletushkat sensibilizuese të përgatitura në bashkëpunim me profesorin Nol Dedaj, të cilat synojnë ngritjen e vetëdijes qytetare për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe promovimin e kulturës së sigurisë rrugore.
Përmes organizimit të konferencave të tilla, UBT vazhdon të dëshmojë rolin si institucion lider në arsimin e lartë, duke krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet akademisë, institucioneve dhe industrisë, si dhe duke kontribuar në trajtimin e çështjeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin dhe sigurinë e shoqërisë.
