Në kuadër të Javës Kombëtare të Kulturës, në Tiranë u promovua libri “Libri im i kujtimeve” i kompozitorit, dirigjentit dhe muzikologut të njohur Rafet Rudi, me pjesëmarrjen e personaliteteve të shumta nga fusha akademike dhe artistike.
Ceremonia u hap me fjalën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, e dorëzoi çmimin “Nderi i Akademisë”.
Vlerësimi u shoqërua me një motivacion të detajuar, ku theksohej kontributi i jashtëzakonshëm i tij në muzikën mbarëshqiptare, roli i rëndësishëm në jetën kulturore që nga vitet ’70, si dhe angazhimi i tij në forcimin e bashkëpunimeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Rudi u përshkrua si figurë kyçe në interpretimin e veprave të kompozitorëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare, si mbështetës i brezave të rinj dhe si themelues i festivalit prestigjioz muzikor ReMusica.
Në panel morën fjalën muzikologia Prof. Zana Shuteriqi, kompozitori dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Vasil S. Tole, muzikologia Prof. Rreze Kryeziu dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj.
Gjatë aktivitetit u interpretua vepra “Preludium – Këmbanat Arbëreshe” nga pianistja Ardita Bufaj, duke i dhënë promovimit një dimension artistik të veçantë. Ngjarja u organizua në kuadër të Javës Kombëtare të Kulturës, me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Java Kombëtare e Kulturës mbyllet sot me koncertin e ansamblit “Zánat”, që zhvillohet nga ora 19:00 në Hollin Koncertor të TKOB-it. /A.Z/UBT News/