Me rastin e 7-vjetorit të anëtarësimit të Komiteti Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, KOK ka ndarë premiot për kampionet olimpike Tokio 2020, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, trajnerin Driton Kuka, si dhe të gjithë sportistët tjerë pjesëmarrës.
Gjithashtu të enjten është bërë nënshkrimi i kontratave me 22 sportistë të rinj për t’i mbështetur deri në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, trajneri i xhudos Driton Kuka, Nora Gjakova si medaliste e artë në Lojërat Olimpike dhe shumë sportistë të tjerë.
Me këtë rast, mInistri i sportit Hajrullah Çeku deklaroi se pas shtatë viteve anëtarësim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Kosova ndihet krenare me sukseset e arritura brenda një kohe kaq të shkurtër dhe tani më vendi ynë nuk shkon vetëm sa për të marr pjesë, por me objektivin e fitoreve të mëdha. Ai siguroi të gjithë sportistët se ministria që ai drejton dhe Qeveria e Kosovës do të jenë gjithmonë në mbështetje të tyre.
“Sot, pas shtatë vitesh, me krenari dhe dinjitet mbajmë tre medalje olimpike me vetëm dy pjesëmarrje në Lojëra Olimpike verore. Muajve në vazhdim, për herë të dytë do të përfaqësohemi edhe në Lojërat Olimpike dimërore…Gjenerata të shumta të sportistëve kosovarë nuk e kishin këtë mundësi, andaj tani në këtë periudhë së bashku duhet të shkojmë në garat ndërkombëtare jo vetëm për pjesëmarrje por për të fituar. Ne shkojmë për të fituar sepse kemi dëshmuar që mundemi”, tha Çeku.
Ndërsa, presidenti i KOK ut Ismet Krasniqi tha se anëtarësimi i KOK ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar hapi rrugën që Kosova të fitojë medalje në arenën ndërkombëtare dhe njëkohësisht u ndal diskriminimi ndaj sportistëve të Kosovës. Ai shtoi se që nga sot e tutje nis puna për pjesëmarrje sa më dinjitoze në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
“Sot shtatë vite më parë u thye izolimi shumëvjeçarë i sportit kosovarë, u ndal diskriminimi i sportistëve tanë të cilëve iu hapën dyert e garimit dhe përfaqësimit të barabartë me sportistët tjerë. Anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar na mundësoi që sot të kemi medalje olimpike, jo vetëm kaq, por tri medalje dhe që të tria të arta. Majlinda, Nora dhe Distria e kanë vënë Kosovën në hartën e shteteve më të fuqishme botërore…Me mbylljen e Tokio 2020, sot po e hapim rrugën drejtë Parisit 2024, ku do të nënshkruajmë bursat me 22 sportistë të përzgjedhur nga komisioni i sportistëve, listë kjo që mund të ndryshojë varësisht nga performanca e tyre e cila do të monitorohet vazhdimisht nga ky komision”, tha Krasniqi.
Shumë i kënaqur me mbështetjen që shteti dhe Komitetit Olimpik po iu japin sportistëve të rinj u shpreh trajneri i xhudos Driton Kuka. Ai tha se tashmë kushtet janë shumë më të mira se para disa vitesh dhe u zotua se do ta sjellë së paku një medalje nga Lojërat Olimpike Paris 2024.
“Arsyeja më e madhe pse jam unë këtu është numri 22. Është kënaqësi që Komiteti Olimpik sivjet plotë 22 sportista po i drejton drejtë Lojërave Olimpike në Paris dhe kjo është vlera e kësaj dite sepse nuk mund të ankohen që nuk kanë përkrahje. Sportistët e trajnerët t’i përveshin mëngët dhe të punojnë sepse shteti i Kosovës, Komiteti Olimpik dhe federata qëndrojnë shumë më mirë se sa para dhjetë vitesh edhe po besoj që ky numri 22 së paku një 10-she të mirë ta kemi të kualifikuar në Lojëra Olimpike e unë si trajner zotohem se do të punojë së paku për një medalje”, tha Kuka.
Në emër të të gjithë sportistëve foli xhudistja Nora Gjakova e cila tha se kjo është hera e tretë që ajo nëshkruan për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike dhe inkurajoi sportistët e rinj që të punojnë shumë dhe të bëhen gati për sfida të mëdha.
“Kjo është hera e tretë që po nënshkruajë për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike, ndihem me fat që e kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe mbështetjen e Komitetit Olimpik. Si njëra ndër garueset më me eksperiencë në pjesëmarrje në Lojëra Olimpikë unë iu dëshirojë të gjithë sportistëve që po dëshirojnë ta fillojnë këtë rrugëtim fat dhe shumë shëndet dhe le të jenë të gatshëm të përballen me sfida të shumta sepse nuk do të jetë e lehtë”, tha Gjakova.
Ndryshe, pas paraqitjeve të suksesshme në “Tokio 2020”, nga sot nisin përgatitjet për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.