Letërsia e Shqipërisë dhe Kosovës në këndvështrimin e Mehmet Krajës është një. Dy letërsitë burojnë nga përvojat e ndryshme, Shqipëria për 50 vite krijoi nën diktaturë, kurse Kosova u has me përvojën si gjuhë e dytë që la shenjën e saj deri në vitin 1999. Letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës janë dy letërsi me përvoja dhe zhvillime të ndryshme. Ato i bashkon shqipja, gjuha e tyre e njëjtë. Ky ishte thelbi i një ligjërate që akademik Mehmet Kraja ka mbajtur sot në qendrën Sotir Kolea. Me një qasje analitike, Kraja theksoi rrënjët e përbashkëta të kulturës letrare shqipe, ndërkohë që zbuloi dallimet në përvojën dhe zhvillimin e tyre.
Përballë audiencës të mbushur me intelektualë dhe dashamirës të letërsisë, Kraja u shpreh: “Letërsia shqipe eshte një dhe e pandarë ashtu siç është dhe gjuha shqipe, një dhe e pandarë. Letërsinë e përcakton gjuha dhe identiteti i saj. Nëse kemi përvoja të ndryshme letrare, prapë se prapë ato gjuhën e kanë të përbashkët dhe e tillë funksionon. Gjuha shqipe ka variantet e saj. Letërsia shqipe ka përvojat e saj”.
Në rrafshin e gjuhës dhe letërsisë, akademiku Mehmet Kraja bëri një deklaratë për unifikimin dhe pasurimin e gjuhës së shkruar shqipe. Ai u ndal në sfidat që përjeton letërsia shqipe, veçanërisht në lidhje me përdorimin e variantit gegërisht. Kraja shpreh qartazi se ndarja gjuhësore nuk është vetëm një pengesë, por edhe një shqetësim për të ardhmen e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Në një akt të guximshëm, Kraja shpreh qartë se pengesa në shkrim nuk është vetëm mungesa e një standardi të përcaktuar, por mungesa e njohjes dhe zotërimi të kësaj gjuhe nga ata që thjesht e përdorin atë për qëllime propagandistike. Sipas Krajës, ndarja gjuhësore është dashakeqësi, ai i cili njeh gjuhën di të shkruaj edhe në standard edhe në gegërisht.
“Pengesë në shkrim nuk është standardi, por mos zotërimi i tij, as i gegërishtes, prej atyre që thjeshtë e përdorin gegërishten si propagandë”, theksoi akademiku.
Mehmet Kraja shprehu rezervat e tij në lidhje me idenë se problemet e shkrimtarëve kosovarë rrjedhin nga bazat e standardit të gjuhës së përdorur, duke e cilësuar atë si një përmbajtje e gabuar. Ai theksoi se autorët që hasin vështirësi në krijimin letrar nuk kanë sfida me bazën e gjuhës, por mungojnë në njohjen dhe përdorimin e gegërishtes. Kraja vuri në dukje se shumica e atyre që preferojnë variantin gegërisht jashtë standardit nuk e zbatojnë atë me nivel të duhur, tregues se nuk janë të njohur mjaftueshëm me këtë variant dialektik dhe ky është gabimi i tyre.
“Nuk më pëlqen asnjëherë ajo ideja që ne kosovarët kemi probleme sepse në bazën e standardit është toskërishtja. Kjo nuk është e vërtetë. Ata autorë që kanë problem, kanë probleme me gjuhën shqipe. Një pjesë e madhe e atyre që vajtojnë gegërishten që nuk është e përfshirë brenda standardit, të jeni të bindur që nuk e shkruajnë mirë, nuk e njohin mirë as gegërishten e as toskërishten dhe ky është gabimi i tyre”, kumton Kraja.
Duke e shprehur bindjen e tij për rëndësinë e një gjuhe të përbashkët letrare dhe kulturore, Kraja bën thirrje për një përkushtim të përbashkët për zhvillimin dhe pasurimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke e shpallur këtë si një sfidë e rëndësishme për të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët që e duan dhe e respektojnë kulturën dhe identitetin kombëtar.
Sipas analizës së Mehmet Krajës, letërsia e Kosovës ka pasur një rrugë të veçantë të zhvillimit krahasuar me letërsinë shqipe, e cila ka një trashëgimi më të gjatë historike. Në një kontekst ku Kosova nuk kishte statusin e gjuhës shqipe si gjuhë të parë deri në vitet ’90, letërsia e saj filloi të zhvillohej më vonë, kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo situatë e vonuar e Kosovës në zhvillim letar buron nga proceset historike dhe kulturore që shënuan botën shqiptare përpara luftës.
Megjithatë edhe përkundër këtyre dallimeve historike dhe kulturore, Kraja thekson një realitet thelbësor: vendi ynë është shumë i vogël për të mbështetur dy kultura letrare të ndara. Kjo sugjeron se, pavarësisht dallimeve të përceptueshme, letërsia shqipe është një e tëra, e pasuruar nga përvojat e ndryshme letrare që dalin nga e njëjta gjuhë dhe trashëgimi kulturore./UBTNews/
© Dionesa Ebibi