UBT News

Në SHBA hapet ekspozita “Liria” e fotografit kosovar Hazir Reka

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka organizuar ekspozitën fotografike “Liria” të fotografit kosovar Hazir Reka.

Ekspozita sjell një përmbledhje fotografish që dokumentojnë sakrificën, qëndresën dhe shpresën e popullit të Kosovës në periudha të ndryshme historike, duke pasqyruar edhe rolin e SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, e ka cilësuar Rekën si “kronistin jozyrtar të historisë moderne të Kosovës”, duke theksuar se fotografitë e tij dokumentojnë periudhën e represionit, rezistencës paqësore, luftës, çlirimit dhe shtetndërtimit.

Ai ka veçuar edhe një fotografi të vitit 1990 në Prishtinë, gjatë vizitës së delegacionit të Kongresit amerikan të udhëhequr nga senatori Bob Dole, si simbol të shpresës dhe mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën.

Sipas ambasadorit, ekspozita përbën një dëshmi vizuale të historisë së Kosovës dhe marrëdhënieve të saj të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/A.K/

Exit mobile version