Në një periudhë ku fjalët e lira dhe përgjegjësia sociale bien në pikën e një tensioni të ndërgjegjshëm, “Projekti Handke” e Qendrës Multimedia të Jeton Neziraj dhe regji të Blerta Neziraj shfaqet si një spektakël që nxjerr në pah sfidat dhe kontradiktat e artit. Me të drejtë, ai sjell në përpjekje ekuilibrin delikat midis shprehjes së lirë artistike dhe nevojës për të qenë të ndërgjegjshëm politikisht.
Shfaqja “Projekti Handke” u rikthye në skenën e Teatrit Oda në Prishtinë, më 27 mars, për të treguar qëndrueshmërinë ndaj kalimit të kohës dhe rëndësinë e temës për publikun, në veçanti, ky moment vjen në një muaj të veçantë, kur mendjet kthehen nëpër memoriet e masakrave të shumta që kanë tronditur dhe ndryshuar Kosovën.
Një ndër çështjet kryesore që shfaqja shtrin përpara publikut është vendimi për të ndarë nderin e Nobelit me Peter Handken, një figurë e cila është ngulitur thellë në kontradikta për mbështetjen e tij të dokumentuar për Sllobodan Millosheviçin.”Projekti Handke” është një shfaqje teatrale që nuk përjashton polemikën, por e shndërrojnë atë në një fushë reflektimi për rolin e artistëve dhe kontekstin historik dhe politik ku ata operojnë. Në këtë paraqitje, personazhet japin një përshkrim të ngjashëm me mendësinë dhe idetë e Peter Handke, duke kapur thellësinë e debateve rreth gjenocidit në Srebrenicë dhe ndikimin e Millosheviçit në këtë kontekst.
Nëpërmjet dialogjeve si “Holokausti është fabrikim” dhe “Handke është orbita e Serbisë”, shfaqja rreh qartë pikën e qendrës së polemikës dhe debatit rreth historisë së fundit të Ballkanit. Nëpërmjet përfaqësimit të kontrastit midis aktorëve që shprehin pikëpamje të ndryshme, shfaqja kërkon të krijojë një diskutim të hapur dhe të lirë për të vlerësuar veprën dhe jetën e Peter Handke në një kontekst të plotë.
Përfaqësimi i diskutimeve mbi rrethimin e Sarajevës, incidentin e Hoçës së Madhe, si dhe referimet ndaj ngjarjeve historike të ndryshme si “13 korrik 1995” i jep shfaqjes një thellësi të shtuar dhe rrit nivelin e analizës së saj. Një aspekt që përmendet gjatë shfaqjes është edhe roli i artistit dhe përgjegjësia e tij në kontekstin e historisë dhe politikës. Përmes deklaratave të personazheve si “Une e dua teatrin por e dua edhe Serbinë”, shfaqja hedh dritë mbi dilemat e artistit në raport me përkrahjen politike dhe angazhimin publik.
“Njerëzit dijnë të numërojnë deri në njëqind, njëmijë, njëqindmijë dhe numrat e tjerë bëhen statistikë…”, në kontekstin e shfaqjes “Projekti Handke” lidhet drejtpërdrejt me gjenocidin në Srebrenicë dhe varret e 8 mijë të vrarëve. Kjo frazë përshkruan një ndjenjë të humbjes së individualitetit dhe çnjerëzimit që vjen me trajtimin e masës së viktimave si thjesht statistika. Në kontekstin e gjenocidit në Srebrenicë, kur më shumë se 8 mijë njerëz u masakruan brutalisht nga forcat serbe, shumë prej tyre u reduktuan në numra, statistika, në vend që të trajtoheshin si individë me emra, familje dhe jetë të vlefshme.
Autori, përmes karakterit të shfaqur në skenë, vendos të shtrijë pyetjen në tërësisht një prizëm të ndryshëm, duke reflektuar në dilemën e interpretimit të ngjarjeve të një historie. Përballja me dëshmitarët e vendit, të cilët sheh gra me shamija që qajnë para varreve, shton një element emocional të fuqishëm në interpretimin e ngjarjeve të Srebrenicës.
Rrethimi i Sarajevës dhe përmendja e Millosheviqit bëjnë që skena të bëjë një përpjekje për të kuptuar kontekstin historik të ndodhive në Ballkan, duke e vendosur fokusin në politikën dhe luftën që mori mijëra jetë në atë rajon. Përpos kësaj, përmendja e Hoçës së Madhe shton një thellësi të shtuar në trajtimin e temës së historisë së dëshpëruar të Jugosllavisë, duke treguar për një masakër të madhe, ku vriten 205 fshatarë të pafajshëm në një fshat të vogël, të cilës ajo i referohet si një fakt në kornizën e diskutimit të ngjarjeve tragjike.
Në përfundim, interpretimi i ngjarjeve historike nëpërmjet kësaj shfaqje teatrale sjell një kontribut të rëndësishëm për reflektimin mbi kompleksitetin dhe sfidat e trajtimit të temave të ndjeshme dhe të rëndësishme historike në skenën e artit. Autori mund të ketë arritur një sukses në përqafimin e një qasjeje të ndryshme dhe provokuese në lidhje me ngjarjet e kohës së luftës në Ballkan. Megjithatë, ai lë shumë hapësira për reflektim dhe debat për interpretimet dhe përkthimet e vëzhgimit të historisë.
Në fund të fundit, rishfaqja e shfaqjes “Projekti Handke” në Prishtinë është një festë e artit dhe kujtesës, duke u ngritur si një ngjarje e rëndësishme për komunitetin kulturor dhe intelektual të qytetit.
Shkroi: Dionesa Ebibi
Fotografi dhe video: Manushaqe Ibrahimi