UBT News

Në rigjykimin e dytë dënohet me 15 vjet burgim i akuzuari për vrasje të vëllaut nën motive pronësore

Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim prej 15 vite burgim ndaj të akuzuarit Asllan Nikqi në rigjykimin e dytë, përballë akuzës për vrasjen e vëllaut të tij me bisht të sopatës dhe atë për motive pronësore.

Aktgjykimi në fjalë është marrë të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shpalljen e këtij aktgjykimi gjyqtarja Kuka-Mekaj, ka bërë edhe ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë”, në “Lëndim i rëndë trupor”, me arsyetimin se nuk është vërtetuar dashja e kryerjes së veprës penale.

Ndryshe, me 5 maj 2022, i akuzuari Asllan Nikqi ishte dënuar nga e njëjta gjykatë me 15 vite burgim.

Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës, vrasja e tani të ndjerit M.K, nga vëllai i tij Asllan Nikqi, kishte rezultuar si pasojë e problemeve pronësore.

I akuzuari Asllan Nikqi ngarkohej se me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij M.N, ndërsa djali i tij, i mituri A.N. dyshohej për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Më 24 gusht 2020, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe atë, nga “Vrasja e rëndë” në “Vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe ndaj të akuzuarit kishte shqiptuar 15 vite burgim. Ndaj të miturit ishte shqiptuar masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindit.

Më 27 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e Themelores, pasi kishte konstatuar se ishte marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 30 shtator 2019, Asllan Nikqi akuzohej se më 26 prill 2019, rreth orës 18:00, në afërsi të Rekës së Allagës në Pejë, me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij, këtu viktimën M.N.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve jo të mira mes familjeve të viktimës dhe të pandehurit të krijuara nga kontestet pronësore, lidhur me një pronë në mal, i pandehuri në ditën kritike së bashku me të miturin A.N, shkojnë në bjeshkë për të marrë drunj dhe në momentin kur marrin drunjtë, duke dashur t’i largojnë trupat nga traktori, viktima e kishte njoftuar policinë për prerjen e drunjve dhe pasi policia nuk i përgjigjet, iu del përpara të pandehurit dhe të miturit.

Siç thuhet në aktakuzë, viktima i kishte sulmuar me sëpatë të pandehurin, i cili arrin që t’ia marrë sëpatën nga dora dhe me bisht të sëpatës e godet viktimën në kokë dhe në pjesë tjera të trupit, ku në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N e më pas largohen nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e këtyre goditjeve, viktima thuhet se u gjet i vdekur pas dy ditë në rrugën e fshatit Reka e Allagës dhe atë në vijë ajrore prej 1,200 metra nga vendi ku ka filluar përleshja fizike, me çka i akuzuari Nikqi thuhet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 i Kodit Penal të Kosovës.

Kurse, i mituri A.N. thuhet se kishte marrë pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me vdekjen e tani viktimës M.N, me çka ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Exit mobile version