Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka pranuar se në rastin e Arlinda Zekajt nuk ishte hartuar plani individual, ndonëse një dokument i tillë është obligativ. Ai po ashtu ka pranuar se nuk kishte bërë vlerësimin e punës së zyrtarëve të përfshirë në këtë rast.
Kelmendi, i cili është punësuar në QPS në vitin 2018, është intervistuar të mërkurën nga Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të deputetëve, ai ka thënë se shërbimi që udhëheq ka vetëm katër punëtorë dhe se për shkak të ngarkesës me punë përballen me mungesë të stafit.
“Në shërbimin tim i kam vetëm katër punëtorë, për shkak të volumit kemi mungesë të punëtorëve. Së pari i kontrolloj dhe jam bashkëpunues me ta”, ka deklaruar Kelmendi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e ka pyetur nëse hartimi i planit individual është obligim ligjor dhe nëse një plan i tillë ishte përgatitur për rastin e Arlinda Zekajt.
Në përgjigjen e tij, Kelmendi ka konfirmuar se plani individual kishte munguar, ndërsa ka sqaruar se dokumentacioni ishte plotësuar në një formë tjetër, por jo sipas standardit të kërkuar.
Ai ka folur edhe për mungesën e psikologes së QPS-së, e cila në atë periudhë ishte në pushim të lehonisë.
“Po ka pasur, në rastin konkret ka munguar plani. Është obligative, 05 ka qenë i plotësuar, është plotësuar në një formë tjetër jo sipas standardit. Pasi ka përfunduar seanca kam marrë një telefonatë se seanca ka përfunduar për shkak se punëtorja ka munguar. Psikologia e qendrës është në pushim të lehonisë, kemi thirrur psikologen tjetër”, ka thënë ai.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, e ka pyetur Kelmendin se për çfarë arsye rasti kishte përfunduar në Qendrën për Punë Sociale.
Ai ka deklaruar se rasti ishte raportuar si dhunë në familje dhe se vlerësimin e nivelit të rrezikshmërisë e bën Policia.
“Ka ndodhur rasti, është raportuar si dhunë në familje. Nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia, çdo informacion që e kemi ia bashkëngjisim, mbetet në vullnetin e punëtorit. E kemi planin e veprimit. QPS në momentin që raportohet rasti së pari i ofrohet siguria”, ka deklaruar ai.
Gjatë seancës, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e ka pyetur nëse kishte bërë vlerësimin e punës së zyrtarëve që ishin nën përgjegjësinë e tij dhe që ishin përfshirë në rastin konkret.
“Po, në rastin konkret jo”, është përgjigjur Kelmendi.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka kërkuar të dijë se sa raste të dhunës trajtohen nga QPS-ja në Pejë dhe sa prej tyre janë aktive.
Kelmendi ka bërë të ditur se janë gjithsej 73 raste të dhunës, prej të cilave 50 janë aktive. Ai ka treguar se QPS-ja ka gjithsej 1 mijë e 150 dosje.
“Janë 73 raste të dhunës, aktive janë 50. Katër punëtorë i kemi aktivë. Kemi raportime javore të dokumentuara. 70 shërbime janë në QPS. Total 1150 dosje që kemi kryer shërbime aty ndahet secila kategori”, ka thënë ai.
Në fund të intervistimit, Kelmendi ka bërë të ditur se ndaj punëtorëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt është iniciuar procedurë disiplinore.
