Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2021, në Prokurorinë Themelore në Prizren janë pranuar 147 kallëzime penale për rastet e dhunës në familje, ndërsa lidhur me këto raste janë ngritur gjithsej 152 aktakuza.
Kështu ka bërë të ditur koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, gjatë takimit që u mbajt në Prokurorinë Themelore në Prizren me grupin koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.
“Në këtë takim thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje Mehreme Hoxha, ishin të pranishëm përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, mbrojtës të viktimave, zyrtarë nga Shërbimi Sprovues, përfaqësues nga Strehimorja, nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe përfaqësues nga OSBE. Gjatë takimit u diskutua rreth rëndësisë së kualifikimit dhe cilësimit të veprave penale që ndërlidhen me definicionin e dhunës në familje sipas Udhëzimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt u theksua edhe çështja e vendosjes në SMIL dhe në Data Bazë e lëndëve që kanë të bëjnë me dhunë në familje me kualifikime përkatëse, sipas udhëzimit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, nga zyrtarët policor u kërkua që hartimin e kallëzimeve penale lidhur me këto raste ta bëjnë në mënyrë sa më profesionale, dhe kjo të bëhet nga zyrtarë të cilët janë të trajnuar për këto raste si dhe të vlerësohet rrezikshmëria e viktimës në mënyrë që të ndërmerren masa adekuate për mbrojtje të viktimës.
Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me kapacitetet ekzistuese për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje.