UBT News

Në Prishtinë nis sot “FRAGMENTA 2025, edicioni debutues për artistët e rinj

Në kryeqytet hapet edicioni i parë i ekspozitës së Artistëve të Rinj “FRAGMENTA 2025”, pjesë e programit vjetor të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës.

Ky është projekti i dytë i këtij viti dhe sjell në qendër të vëmendjes artin bashkëkohor, eksperimentimin dhe përdorimin e mediave të reja.

“Fragmenta” konceptohet si hapësirë ku fragmente idesh, formash e tregimesh ndërthuren për të krijuar një mozaik të ri kulturor.

Qëllimi kryesor është të nxisë bashkëpunimin mes artistëve të rinj, studiuesve dhe publikut, duke hapur horizonte të reja krijuese dhe duke promovuar dialog ndërdisiplinor.

Me pjesëmarrjen e krijuesve të rinj nga fusha të ndryshme, ky edicion synon të rimendojë rolin e artit e dizajnit në shoqërinë moderne, duke vënë në pah risinë, eksperimentimin e interpretimin e lirë artistik.

Në kuadër të aktivitetit do të akordohet edhe RAW Award (Rising Artists Work), çmim që vlerëson artistët që formësojnë gjuhën e re të artit bashkëkohor dhe kontribuojnë në zhvillimin e skenës vizuale.

Lokacionet dhe oraret e hapjes së ekspozitave:

Tunelli i Kurrizit – ora 17:00

Observatoriumi – ora 18:30

Biblioteka “Hivzi Sylejmani” – ora 19:30

Ekspozita vazhdon më 5 dhjetor, në Hamam, nga ora 19:00.

Ceremonia e ndarjes së RAW Award do të mbahet të shtunën, më 6 dhjetor, në orën 19:00.

“Fragmenta 2025” synon të kthehet në një pikëtakim të rëndësishëm për skenën e artit të ri në Kosovë, duke ofruar një platformë të hapur për vizion, inovacion dhe talent të ri. /A.Z/UBT News/

 

 

 

 

Exit mobile version