Sot, më 23 shtator, në orën 11:00, në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nis edicioni i katërt i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë.
Për pesë ditë, festivali do të sjellë libra, aktivitete kulturore, edukative, artistike dhe kreative për fëmijë dhe familje.
Ceremonia e hapjes do të shoqërohet me fjalë rasti nga organizatorët, mbështetësit dhe përfaqësuesit e institucioneve partnere, ndërsa do të ndahen edhe çmimet për “Lexuesit e Vitit” nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”.
Programi i ditës së parë përfshin aktivitete të ndryshme për fëmijë, ndër to “Palaço me shokë”, promovime librash, aktivitete STEM, kërcim dhe aktivitetin “Një ditë me zjarrfikësit”.
Gjatë gjithë ditës do të jetë i hapur edhe Panairi i Librit për Fëmijë, ku do të prezantohen botime nga shtëpi botuese të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Festivali organizohet nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Komunës së Prishtinës./A.K/
